Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po feston 5-vjetorin e themelimit. Kjo organizatë, e cila bashkon disa dhjetëra ish-ambasadorë, ish ministra të jashtëm dhe diplomatë të Shqipërisë dhe të Kosovës, merret me analiza në fushë të politikës së jashtme e diplomacisë dhe jep rekomandime profesionale për çështje të caktuara nga kjo fushë për politikbërësit në këto shtete.
Presidenti i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, thekson se qëllimi i përbashkët i këtij grupi të gjerë ekspertësh është mbështetja e procesit të integrimit europian për Shqipërinë dhe Kosovën.
Zoti Mustafaj tha se kjo organizatë mund të japë kontribut të madh për diplomacinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai tha se udhëheqja shtetërore e Kosovës ka shprehur më shumë vullnet e interesim për bashkëunim me këtë organizatë, ndërsa udhëheqja e Shqipërisë nuk ka shprehur aspak vullnet për bashkëpunim.
njoftoi se këto ditë, me ftesë të këtij këshilli, do ta vizitojë rajonin një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, i cili do të ketë një seri takimesh me autoritetet shtetërore e politike në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup.
Intervista e plotë:
Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, ju festoni këto ditë 5 vjetorin e themelimit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, një organizatë, që bashkon shumë diplomatë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova. Çfarë do të veçoni dhe cilj janë mendimet tuaja të para në këtë përvjetor të organizatës tuaj?
Besnik Mustafaj: Ne jemi një organizatë e ish ambasadorëve, ish ministrave të jashtëm dhe diplomatë të nivelit të lartë. Të them të drejtën, nuk e mendoja para 5 vjetësh kur u themelua kjo organizatë, se sot do të kishim një bilanc kaq të pasur. Ne jemi njerëz të tërhequr dhe jashtë aktivitetit të mirëfilltë diplomatik. Nuk punojmë të paguar për shtetin, asnjeri prej nesh. Mendimi im i parë është kënaqësia për rezultatet e larta, që janë shënuar. Për 5 vjet ne jemi një organizatë krejtësisht vullnetare. Nuk jemi të financuar as nga paratë publike shqiptare, as nga organizatat ndërkombëtare e as nga Bashkimi Europian. Ne jemi tërësisht një organizatë vullnetare dhe kemi një bilanc shumë të pasur. Nëse shihni raportin tonë vjetor, është një bilanc i pasur mbi 60 a 70 faqe. Besoj se kemi arritur të mobilizojmë energjitë tona, ekspertizën tonë dhe vulnetin tonë pozitiv si njerëz, që duam të jemi të dobishëm për vendin tonë. Së pari, dua të veçoj strukturimin dhe platformën e organizatës: Ne jemi e vetmja organizatë bipartizane; kemi në gjirin e organizatës ish diplomatë të gjithë niveleve socialistë dhe demokratë, dhe nuk kemi asnjë ngurim në marrëdhëniet tona, sepse kemi gjetur qëllimin tonë të përbashkët; t’i shërbejmë politikës së jashtme kombëtare, integrimit euro-atlantik, forcimit të lidhjeve miqësore ndërkombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kemi gjetur dhe miratuar një platformë të përbashkët përtej politikave të majta dhe të djathta, që ndjekin qeveritë. Ky është një sukses jo i vogël në kushtet e një shoqërie të polarizuar politikisht siç është Shqipëria. Pikë tjetër me rëndësi të madhe është vendosja e kontakteve me organizata homologe. Ne kemi patur si mentor Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë dhe kemi një marrëveshje me ta, si dhe kemi marrë pjesë në aktivitetet e tyre dhe kemi letërkëmbim të vazhdueshëm. Ata përhapin deklaratat dhe qëndrimet tona nëpërmjet rrjeteve të tyre të komunikimit. Për të gjithë këto arsye ndjehemi krenarë në këtë pesë vjetor për angazhimin dhe frytet e punës tonë.
Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, sapo përmendët një bilanc të pasur të punës suaj. Çfarë do të veçoni nga veprimtaria e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë?
Besnik Mustafaj: Ne kemi patur dhe kemi dy objektiva të mëdha: integrimi europian i Shqipërisë dhe i Kosovës. Ne kemi bërë kritika, që kanë qenë në të njëjtën filozofi, që ka bërë Bashkimi Europian për nivelin e demokracisë në Shqipëri, për nivelin e reformave dhe shumë aspekte të tjera, që janë bërë pengesë për ritmin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Njëkohësisht ne kemi mbështetur fuqishëm gjithë përpjekjet e qeverisë së republikës së Kosovës për një afirmim ndërkombëtar, për njohje ndërkombëtare, për integrim të Kosovës në organizata të ndryshme si Këshilli i Europës, UNESCO, dhe organizata të tjera, ku ka aplikuar Republika e Kosovës, si dhe dialogun me Serbinë, si rruga e domosdoshme për t’u normalizuar marrëdhëniet dhe për të çuar në njohjen reciproke mes dy vendeve. Në këtë lloj kuadri, ne kemi patur vazhdimisht në vëmendje problematiat që kanë shqiptarët në Ballkan. Po përmend vetëm raportin tonë të fundit. Ne si Këshill i Ambasadorëve Shqiptarë organizuam një udhëtim njohës, dhe ishim në Bujanovc, në Medvegjë dhe në Preshevë. Ne kemi bërë një raport për këtë ditët e fundit dhe e kemi shpërndarë në Kongresin Amerikan, OSBE, Këshillin e Europës, Bashkimin Europian. Ne e shpërndamë këtë të mërkurë dhe brenda dy ditësh, të premten, raporti ynë me problematikat që gjetëm në terren u përfshi në publikimet e zyrës së OSBE-së në Serbi. Përkushtimi ynë për fatet e shqiptarëve në trojet e tyre, qoftë edhe jashtë Shqipërisë edhe jashtë Kosovës, është serioz dhe merret seriozisht nga organizatat ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, orgnaizata juaj ka në gjirin e saj një numër të madh diplomatësh, ish ministrash, ambasadorësh. A keni patur bashkëpunim ose ftesa për bashkëpunim nga institucionet publike dhe jopublike të Shqipërisë për të dhënë ndihmesën tuaj në një fushë kaq sfiduese si diplomacia në rajonin e Ballkanit?
Besnik Mustafaj: Ne jemi një organizatë me ekspertë të nivelit më të lartë. Të gjithë ish ambasadorët, që janë anëtarë të organizatës tonë, si dhe ish ministrat, janë profesionistë të nivele më të larta, të cilët kanë punuar dhe e kanë dënrtuar karrierën dhe ekspertizën e tyre në proceset e integrimit të Shqipërisë dhe të Kosovës në NATO dhe në Bashkin Europian. Kjo është një bankë përvoje dhe ekspertize shumë e çmuar, të cilën ne e vëmë vullnetarisht në shërbim të politikës së jashtme kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në Kosovë na dëgjojnë më shumë, por në Shqipëri zero. Unë, si president i Këshillit të Ambasadorëve, kam shkuar në zyrë ministrit të punëve të jashtme të Shqipërisë, i kam shkruar letër kryeministrit të Shqipërisë, po ashtu presidentëve njëri pas tjetrit, për t’iu shprehur pikërisht këtë vullnet pozitiv që kemi ne për ta vënë ekspertizën tonë në shërbim të interesave të shtetit, pa u bërë shtojcë e shtetit. Ne jemi organizatë e pavarur, që nuk marrim as urdhëra as financime nga qeveria, por kemi të njëjtin qëllim të përbashkët me qeverinë dhe me opozitën. Unë i kam shkuar në zyrë, në emër të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, edhe zotit Meta si president, edhe presidentit aktual për t’ua shprehur këtë gatishmëri. Deri tani ne nuk kemi patur ndonjë ofertë nga shteti. Deklaratat tona, analizat tona janë botuar gjerësisht në mediat shqiptare edhe në mediat ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Organizata të ngjashme me tuajën në vendet e demokracisë perëndimore kanë bashkëpunim profesional me shtetet e tyre. Pse nuk ndodh kjo edhe në Shqipëri?
Besnik Mustafaj: Po pse të mos vijë kjo përvojë edhe këtu? Është një këngë franceze që thotë: ‘Unë të dua/ Unë ty jo’. Nuk e ndjejnë nevojën, nuk e ndjejnë. Nuk di çfarë të them më tepër. Ne nuk u bëjmë ndonjë gjyq dhe nuk kemi ndonjë ankesë, se nuk po na prishet karriera. Ne jemi njerëz që e kemi mbyllur karrierën zyrtare, por kemi në organizatën tonë njerëz me vullnet të mirë dhe plot me energji për të dhënë ndihmesë. Ish ambasadorët Spiro Koçi, Genci Muçaj, Flamur Gashi, për shembull, dhe të tjerë harxhojnë shumë orë vullnetarisht për ta bërë të dobishme ekspertizën e gjithë Këshillit të Ambasadorëve për politikën e jashtme kombëtare.
Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, thatë pak më lart se nga Kosova keni më shumë ftesa për bashkëpunim në fushën e diplomacisë, konsultim profesional të ekspertizës. A mund të shpjegoni diçka më shumë konkretisht?
Besnik Mustafaj: Ne jemi diplomatë dhe dihet se ka bashkëpunime publike dhe bashkëpunime konfidenciale. Mirëkuptim kemi gjetur në Prishtinë me kryeministrin, me presidenten, me ministren e jashtme, me parlamentin e Kosovës. Ne gjejmë tek institucionet e Kosovës një gatishmëri më të madhe për të përfituar nga ekspertiza e ambasadorëve shqiptarë.
Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, këto ditë e viziton rajonin me ftesën tuaj një delegacion nga Këshilli Amerikan i Ambasadorëve, pjesëtarë të të cilit janë 17 ish ambasadorë. Ç’mund të na thoni mbi këtë vizitë, si mikpritës dhe organizatorë të saj? Cili është qëllimi i kësaj vizite?
Besnik Mustafaj: Ne jemi një organizatë partnere me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë. Ata janë miqtë, që na kanë themeluar qysh nga themelimi. Ata vijnë në një udhëtim studimor në rajon për çështjen shqiptare, në mënyrë të përqëndruar. Në Tiranë do të kenë takime me Presidentin e Republikës, me politikanë të opozitës, si dhe me një përfaqësi të shqiptarëve të Malit të Zi. Ata do të marrin pjesë në festën tonë të 5 vjetorit mbrëmjen e të hënës, pastaj do të shkojnë në Kosovë ku do të takohen me gjithë autoritetet kryesore, me partitë politike të opozitës, si dhe me një përfaqësi të Luginës nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Po ashtu vizita e tyre vazhdon në Shkup me një seri takimesh me autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Kudo do të kenë konsultime të gjata dhe me siguri në fund do të prodhojnë një raport. Agjenda është shumë e ngjeshur dhe u përgatit bazuar në kërkesat e kolegëve tanë nga Uashingtoni. Ata vijnë për t’i ndikuar pozitivisht çështjet shqiptare; qoftë ato të demokracisë në Shqipëri, qoftë ato që janë shumë më komplekse në Kosovë, që kanë të bëjnë me dialogun dhe me reformat e brendshme që ka përpara Kosova për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës dhe për të ecur në perspektivën europiane të saj. Edhe kjo është një ndihmë dhe mbështetje, që i vjen falas kombit shqiptar. Edhe ata janë vullnetarë, dhe ne u jemi mirënjohës.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)