Prishtinë, 14 dhjetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti këtë të mërkurë në takim Bordin Drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASh), kryesuar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti.
Qeveria njofton se duke biseduar për vendimin për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, Kurti theksoi se i përgjigjet thirrjes dhe aspiratave të qytetarëve të Republikës që thellësisht besojnë se e ardhmja e tyre është në BE.
“U theksua besimi se momenti është i duhur, duke marrë parasysh faktin se Kosova është vendi më demokratik në rajon”, thuhet në komunikatën për media.
Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë tutje thuhet se shprehu mbështetjen e pakursyer për Qeverinë e Kosovës.
“U bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të nismave në mbështetje të proceseve integruese të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shprehu kënaqësinë dhe përkrahjen e plotë për aplikimin e sotëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
(Telegrafi)