Tiranë, 12 korrik 2023 – Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit në Shqipëri votoi në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit (SPAK) për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit, njëherësh deputetit aktual të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj.
Dhjetë deputetë të këtij këshilli, pesë nga Partia Socialiste dhe pesë nga Partia Demokratike, votuan në favor të kërkesës së SPAK-ut, por ata kishin qëndrim të ndryshëm se kur duhet të dorëzohet në Kuvendin e Shqipërisë raporti për këtë çështje.
Vendimi përfundimtar do të merret nga Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme ditën e hënë, më 17 korrik.
Anëtari i Këshillit të Mandateve nga PS-ja, Arben Pëllumbi, pas mbledhjes së këtij turpi tha se PS-ja nuk do të bëhet avokat i askujt, ndërsa shtoi se partia e tij, që është në pushtet, do të përgatisë raportin e saj të premten, më 14 korrik, dhe kërkoi që Kuvendi të mblidhej në seancë të jashtëzakonshme më 17 korrik.
“Këshilli do t’i sugjerojë seancës plenare dhënien e autorizimit për kërkesën e SPAK-ut. Raporti nuk mund të përgatitej pa dëgjuar mbrojtjen. Këshilli nuk është gjykatë. Gjykojmë vetëm nëse procedura për dhënien e kësaj të drejte është zbatuar apo jo dhe ka apo jo fakte, nëse ndaj kolegut tonë ka ndikime politike apo jo. Sa kohë që bindemi nëse procedura është e rregullt apo jo, sigurisht ne kemi qëndrimin tonë për të mos bërë avokatin e askujt”, tha Pëllumbi.
Ndërkaq kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi bëri me dije se opozita e ka dorëzuar raportin e saj dhe do të kërkojë mëngjesin e së enjtes ndryshimin e rendit të ditës së Kuvendit për t’i dhënë sa më shpejt dritën jeshile SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetajt.
“Çdo vonesë është pengim i drejtësisë. Ajo dosje nuk flet vetëm për Arben Ahmetajn, por janë të përfshirë edhe zyrtarë të tjerë, të kallëzuar prej nesh në Prokurori si: Damian Gjiknuri [deputet i PS-së], Ermonela Felaj [nënkryetare e Parlamentit], dy ish-kryetarë bashkie, sot deputetë, Fadil Nasufi dhe Baftjar Zeqo. Është një çështje që duhet hetuar deri në fund”, tha Gazmend Bardhi.
Deputeti tjetër i PD-së, Ervin Salianji, tha se fakti që në dosje hetimore janë të përfshirë shumë zyrtarë duhet të çojë, sipas tij, në dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Qeverisë së tij.
Avokatët mbrojtës të Ahmetajt, Ardian Visha dhe Henrik Ligori, thanë se pretendimet e SPAK-ut nuk qëndrojnë dhe se po bëhet “show” me kërkesën për arrestimin e Ahmetajt dhe kërkesën tjetër për kontroll të banesës së tij.
Ata deklaruan sërish se Arben Ahmetaj ndodhet jashtë Shqipërisë për arsye familjare, pa zbuluar se ku gjendet, por shtuan se kishin komunikuar me të “pesë minuta më parë”.
SPAK e akuzon ish-zëvendëskryeministrin për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim apo fshehje të pasurisë dhe kërkon autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin e tij.
Hetimet ndaj Arben Ahmetajt nisën në vitin 2022 dhe Prokuroria e Posaçme thekson se “vazhdon hetimi në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar”.
Hetimi i prokurorisë kundër ish-zëvendëskryeministrit ka zbuluar prona dhe investime të padeklaruara të tij në 20 vjet si dhe pagesa të tërthorta të përfituara si ryshfet nga biznesmenët e incineratorëve me vlerë 491 mijë eurosh, por edhe vila në bregdet dhe apartamente në Tiranë. Ahmetaj po hetohet për gjashtë raste korrupsioni.
Arben Ahmetaj ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë dhjetë viteve të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Ai ka qenë drejtues i Drejtorisë së Tatimeve, ministër i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, ministër i Financave, zëvendëskryeministër dhe ministër i Rindërtimit.
(Jetmira Delia – Kaci, REL)