Bruksel, 9 mars 2023 – Këshilli i Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ka miratuar me unanimitet në lexim të parë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovën.
“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar sigurinë dhe menaxhimin me migrimin dhe të bashkërendojë politikën e vizave me atë të BE-së. Shpresojmë se bashkëpunimi jonë në këto fusha do të vazhdojë të jetë i dobishëm”, ka thënë ministrja për Migrim e Suedisë, Maria Malmer Stenergard.
Më 12 janar të këtij viti Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Evropian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave kishte votuar me shumicë dërmuese pro liberalizimit të vizave.
Ndërkaq, më 14 dhjetor të vitit të kaluar Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ekipet negociuese të Parlamentit Evropian dhe kryesisë së Këshillit të BE-së, arritën marrëveshjen për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
Institucionet e BE-së ranë dakord që kërkesa për të mos pasur viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.
Sipas rregullave, mbajtësit e pasaportave të Kosovës që udhëtojnë në BE pa viza, do të mund të qëndrojnë për 90 ditë, në çdo periudhë 180 ditore.
Njohësi i proceseve integruese, Demush Shasha, në një postim në Facebook shkruan se tani ka mbetur vetëm edhe miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku pritet përkrahje përsëri pothuaj unanime.
“Ndjenjë e veçantë të shohësh se si një sagë 10 vjeçare përfundon brenda 10 sekondash të një mbledhjeje. Tani ka mbetur vetëm edhe miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku pritet përkrahje përsëri pothuaj unanime”, ka shkruar Shasha.
(r.m.)