Nju Jork, 22 dhjetor 2023 – Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të premten një rezolutë që bën thirrje për përshpejtimin e menjëhershëm të ndihmave për civilët e uritur dhe të dëshpëruar në Gaza – por ajo nuk përmban thirrjen e variantit fillestar për një “pezullim urgjent të luftimeve” midis Izraelit dhe Hamasit.
Votimi i vonuar që po shtyhej prej disa në Këshillin prej 15 anëtarësh përfundoi me 13 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia abstenuan.
Votimi erdhi pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një amendamenti rus që do të kishte rikthyer thirrjen për të pezulluar menjëherë luftimet. Për atë variant ishin 10 vende pro, SHBA kundër dhe katër vende abstenuan.
Votimi përfundimtar me abstenim nga ana e Shteteve të Bashkuara shmangu një veto të dytë amerikane ndaj një rezolute për Gazën pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor brenda Izraelit.
Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield u shpreh e lehtësuar pas miratimit rtë rezolutës: “Ishte diçka e vështirë, por ia arritëm”. Ajo tha se votimi konsolidon përpjekjet “për të zbutur këtë krizë humanitare duke siguruar ndihma për shpëtimin e jetëve në Gaza dhe për të nxjerrë pengjet nga Gaza, për të nxitur mbrojtjen e civilëve të pafajshëm dhe punonjësve humanitarë dhe për të punuar drejt një paqeje të qëndrueshme”.
Por ambasadori rus i OKB-së Vassily Nebenzia e quajti rezolutën “krejtësisht joefektive” dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara për “qëndrim të turpshëm, cinik dhe të papërgjegjshëm” duke thënë se po përdorin taktika “presioni të fortë, shantazhi dhe detyrimi” për të mos vendosur veton.
Duke propozuar amendamentin për të rikthyer thirrjen për pezullimin e luftimeve, ambasadori rus tha se miratimi i rezolutës së rishikuar “në thelb do t’u jepte forcave të armatosura izraelite liri të plotë në Gazë.
Rezoluta përfundimtare, me disa ndryshime të minutës së fundit të premten në mëngjes, u miratuar pas një jave e gjysme diplomacie të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe në emër të kombeve arabe dhe të tjerëve.
Nga e marta deri të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli nga tre herë me ministrat e jashtëm të Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe me ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Jordanisë, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.
Votimi, i planifikuar fillimisht për të hënën, u shty me nga një ditë deri të premten.
Amasadorja Thomas-Greenfield e përshkroi rezolutën si “të fortë” dhe tha se “është e mbështetur plotësisht nga grupi arab dhe ofron gjithçka të nevojshme për të dërguar ndihmën humanitare në terren”.
Por asaj iu hoq dispozita kryesore e fortë– thirrja për “pezullimin urgjent të luftimeve për të lejuar qasje të sigurt dhe të papenguar humanitare, dhe hapa urgjente drejt një ndërprerjeje të qëndrueshme të luftimeve”, të cilën Rusia kërkoi ta rikthente.
Në vend të kësaj, rezoluta bën thirrje për “hapa urgjente për të lejuar menjëherë qasjen e sigurt, të papenguar dhe të zgjeruar humanitare, si dhe krijimin e kushteve për një ndërprerje të qëndrueshme të luftimeve”. Hapat nuk janë përcaktuar, por diplomatët thanë se miratimi shënon herëm e parë që Këshilli përmend ndalimin e luftimeve që kur filloi konflikti.
Në një nga pikat kyçe që hasi pengesa në lidhje me dërgesat e ndihmave, rezoluta eliminoi një kërkesë në një variant të mëparshëm sipas së cilës OKB-ja “do të monitoronte ekskluzivisht të gjitha dërgesat e ndihmave humanitare në Gazë të ofruara përmes rrugëve tokësore, detare dhe ajrore” nga palët e huaja për të konfirmuar natyrën e tyre humanitare.
Kjo klauzolë u zëvendësua me një formulim sipas së cilit Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres duhet të emërojë me shpejtësi “një koordinator të lartë për çështje humanitare dhe rindërtimi me përgjegjësi për lehtësimin, koordinimin, monitorimin dhe verifikimin” e ndihmave në Gazë për t’u siguruar që ato janë mallra humanitare.
Sipas rezolutës koordinatori duhet të krijojë me shpejtësi një “mekanizëm” për të përshpejtuar dërgimin e ndihmave dhe kërkon që palët në konflikt – Izraeli dhe Hamasi – të bashkëpunojnë me koordinatorin.
Zoti Guterres ka thënë se Gaza përballet me “një katastrofë humanitare” dhe ka paralajmëruar se një kolaps total i sistemit të mbështetjes humanitare do të çonte në “një shpërbërje të plotë të rendit publik dhe rritje të presionit për zhvendosje masive në Egjipt”.
Sipas një raporti të lëshuar të enjten nga 23 agjenci të OKB-së dhe humanitare, e gjithë popullsia prej 2.2 milionë banorësh të Gazës është në një krizë ushqimore ose më rëndë dhe 576,600 janë në nivelin “katastrofik” të urisë.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka thënë se 90% e popullsisë është rregullisht pa ushqim për një ditë të plotë. Rreth 20,000 palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi, që nga fillimi i luftës. Gjatë sulmit të 7 tetorit, militantët e Hamasit vranë rreth 1200 vetë në Izrael dhe morën rreth 240 pengje.
Hamasi kontrollon Rripin e Gazës dhe Ministria e Shëndetësisë nuk bën dallime midis vdekjeve të civilëve dhe luftëtarëve. Mijëra palestinezë të tjerë janë nën rrënojat e Gazës, vlerëson OKB.
Rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë ligjërisht të detyrueshme, por në praktikë shumë palë zgjedhin të shpërfillin kërkesat e këshillit për veprim. Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht të detyrueshme, megjithëse ato janë një barometër i rëndësishëm i opinionit publik botëror.
(Zëri i Amerikës)