Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Serbia po tenton të sabotojë krijimin e institucioneve të reja të Kosovës

Prishtinë, 6 prill 2025 – Këshilli i Sigurisë së Kosovës u mblodh të dielën, më 6 prill, me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar për gjendjen e sigurisë, por edhe për, siç u tha, planet destabilizuese të Serbisë.

Kabineti i kryeministrit të Kosovës njoftoi se në këtë mbledhje u konstatua se Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të Kosovës. Në njoftim thuhet se Serbia po e bën këtë përmes Listës Serbe dhe udhëheqësit të grupit të armatosur të serbëve që e kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Millan Radoiçiq.

“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar ‘de facto’ i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që nxis tensione nëdretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tone”, thuhet në njoftim.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është konstatuar se Serbia po ushtron presion ndaj serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, të paralajmëruar për javën e ardhshme.

“Ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”, thuhet në njoftim.

Përveç çështjes së formimit të institucioneve, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, me theks në planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Aty është raportuar edhe për arrestimin e katër “pelegrinëve” serbë në Gjakovë, dy prej të cilëve janë oficerë të organeve të mbrojtjes dhe të sigurisë së Serbisë: njëri toger i policisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës u kërkoi të gjitha institucioneve shtetërore të sigurisë të mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë.

(r.m.)

Comment

*