Këshilli Kombëtar i PD-së shkarkon Edi Palokën, 5 anëtarë të kryesisë dhe 4 sekretarë

Tiranë, 12 dhjetor 2021 – Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, në mbledhjen e ftuar nga kryetari i partisë, Lulzim Basha, ka vendosur për shkarkimin e kryetarit të këtij organi, Edi Palokën, të 5 anëtarëve të Kryesisë së partisë dhe të 4 sekretarëve, me 251 vota pro, 4 vota kundër dhe 2 vota të pavlefshme.

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, anëtarët e Kryesisë (Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi dhe Oerd Bylybashi) dhe sekretarë (Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi dhe Ledina Mandia) janë shkarkuar për shkak se kanë marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të partisë, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe  mbështetësit e tij, një ditë më parë.

Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve brenda PD-së, Jemin Gjana, ka bërë të ditur se në votim kanë marrë pjesë 257 anëtarë të Këshillit Kombëtar, nga gjithsej 479 anëtarë, sa i ka Këshilli Kombëtar.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka deklaruar se emrat e propozuar për shkarkim nuk do të përjashtohen nga partia, por vetëm do të shkarkohen nga funksionet e tyre.

Ai ka thënë se ata nuk e kanë respektuar thirrjen për Kuvendin Kombëtar të partisë, të thirrur për datën 18 dhjetor, por kanë marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të thirrur Berisha.

“Sot nuk merret asnjë vendim për përjashtim, por për shkarkim nga funskionet. Disa anëtarë të kryesisë nuk kanë respektuar vendimin e kryesisë së Partisë për thirrjen në datën 18 të Kuvendit Kombëtar. Përkundrazi! Janë angazhuar për ngritjen e strukturave paralele për te zëvendësuar institucionet e ligjshme statutore të PD. Per ta nuk ka më kryetar partie, nuk ka sekretar të përgjithshëm, nuk ka nënkryetarë, nuk ka kryesi, nuk ka Këshill Kombëtar, perveç kësaj trupe që sillet si celulë ilegale që kërkon t’i mbivendoset istitucioneve legjitime të partisë. Për këtë arsye, ata mund të bëjnë çfarë të duan jashtë institucioneve të partisë, por nuk mund të veprojnë si anëtarë të kryesisë qendrore të PD. Ky është propozimi ndaj Këshillit Kombetar. Nuk po marrim masë disiplinore ndaj askujt, edhe pse interesi elektoral i PD me veprime të tilla, na jepte të drejtën e masave disiplinore sipas nenit 27. Për të mos i fryrë përçarjes, për të mos perjashtuar askënd, propozojmë shkarkimin nga funksionet”, ka  thënë Bardhi.

Këshilli Kombëtar i PD-së që është mbledhur të dielën është shkarkuar nga Kuvendi Kombëtar i partisë që ishte thirrur nga Berisha dhe mbështetësit e tij. Kryetari i PD-së, po ashtu i shkarkuar nga Kuvendi i së shtunës, i ka cilësuar si ”jostatutare” dhe “nul” vendimet e Kuvendit Kombëtar të Berishës.

(r.m.)