Prishtinë, 20 gusht 2023 – Këshilli Prokurorial i Kosovës i dënoi të shtunën ashpër deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ku akuzoi gjykatësit e prokurorët pёr mbështetje tё krimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi të premten siç tha, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara pёr mbështetje tё krimit”, për përpjekje për ta kthyer “ish sistemin e kalbur e tё korruptuar”, pas arrestimit të tre personave të akuzuar për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.
Këshilli Prokurorial i quajti deklaratat e kryeministrit tendencioze, të pavërteta e linçuese ndaj institucionit të Prokurorisë dhe prokurorëve të saj.
“I bëjmë thirrje kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit”, thuhet në reagimin e Këshillit Prokurorial ku nënvizohet se sulmi dhe linçimi i kryeprokurorit dhe prokurorëve me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.
Këshilli Prokurorial tha në reagim se dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se “këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”.
Gjykata Themelore e Prishtinës u caktoi të shtunën masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre personave të arrestuar të premten nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Mes tyre janë dy zyrtarë ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Hafiz Gara, drejtor për Rezervat Shtetërore dhe Irfan Lipovica, drejtor në Departamentin për Integrim Evropian, i cili më parë ishte sekretar në këtë ministri. I arrestuari i tretë sipas medias lokale është afaristi Ridvan Muharremi.
Operacioni pasoi publikimin e disa audio-regjistrimeve nga portali “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, të cilët gjatë një bisede pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mohoi të premten në mbrëmje dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Ai tha se “97 për qind e vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5 për qind të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore. Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
Arrestimet e së premtes, nxitën reagimin e opozitës e cila kërkoi përgjegjësi nga zyrtarët e lartë qeveritarë.
(Zëri i Amerikës)