Prishtinë, 19 tetor 2023 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka vendosur ende se cilët do të jenë hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Njohësit e çështjeve ligjore vlerësojnë se të vetmit hapa që KPK-ja mund t’i ndjekë janë: rinisja e procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ose zvarritja për kohë të pacaktuar e rinisjes së këtij procesi.
Presidentja Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, më 17 tetor, ka thënë se janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, emrin e të cilit KPK-ja ia ka propozuar qysh më 8 prill 2022.
Ajo ka kërkuar nga KPK-ja që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.
E para e shtetit ka thënë, po ashtu, se pret që të ketë një proces të ligjshëm, të drejtë dhe transparent, i cili do t’i marrë në konsideratë rekomandimet e organizatave joqeveritare dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
KPK-ja ende nuk ka vendosur për hapat e ardhshëm
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës me pyetjet se cilët mund të jenë hapat ligjorë që mund t’i ndjekë, pas mosdekretimit të kryeprokurorit nga ana e presidentes Osmani.
Në një përgjigje me shkrim, KPK-ja i është referuar komunikatës së saj për media, të së martës, ku është thënë se ky këshill do të mbajë një takim për të vendosur lidhur me hapat që do t’i ndjekë.
Por, sipas KPK-së, ai nuk është mbajtur ende dhe opinioni do të njoftohet me kohë se kur do të mbahet.
KPK-ja, të martën, i ka cilësuar si “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze” arsyetimet e Osmanit për mosdekretimin e Isufajt, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në sistemin prokurorial”.
Hapat e mëtejshëm
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron institucionet e drejtësisë në vend, thotë se pas vendimit të presidentes Osmani, hapi që do të duhej ta ndiqte Këshilli Prokurorial i Kosovës është nisja e procesit të ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Por, sipas tij, fillimisht duhet të bëhet plotësimi i kornizës ligjore.
Kjo, thotë Miftaraj, nënkupton rregullimin e udhëzuesit me pyetjet për kandidatët për kryeprokuror. Udhëzuesi është pjesë e rregullores për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorëve të tjerë.
“Ka gabime, të cilat nuk mund të sigurojnë një proces të drejtë”, thotë Miftaraj, duke iu referuar udhëzuesit aktual, mbi bazën e të cilit KPK-ja ka përzgjedhur dhe propozuar Isufajn për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas tij, udhëzuesi ka pyetje lidhur me ligje, të cilat sot nuk janë të aplikueshme në Kosovë.
“Për shembull, ky udhëzues ende ka fusha që lidhen me kohën kur Kryeprokurori i Shtetit ka qenë edhe kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Në këtë rast, tash, Kryeprokurori i Shtetit është vetëm anëtar i Këshillit, por jo edhe kryesues i KPK-së”, thotë Miftaraj.
Mangësitë e ngjashme, sipas tij, do të mund të adresoheshin brenda një muaji, në rast se ka vullnet brenda KPK-së.
Hap i radhës, shton ai, do të ishte hapja e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, i cili duhet të qëndrojë i hapur 15 ditë. Ndërkaq, procedurat e intervistimit, do të zgjasnin një muaj.
“Nëse KPK-ja do të kishte vullnet politik që t’i bënte këto në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjit, muaji janar i vitit të ardhshëm do të mund të rezultonte me kryeprokuror të dekretuar nga Zyra e Presidentes”, thotë Miftaraj.
BE-ja kërkon proces transparent dhe të drejtë
Lidhur me mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit nga presidentja Osmani, të mërkurën ka reaguar edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Duke i kushtuar vëmendje deklaratës së saj, ai ka theksuar në platformën X “nevojën e rëndësishme që procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të jetë transparent, i bazuar në merita dhe i drejtë, brenda sistemit juridik”.
“U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që t’iu përmbahen parimeve dhe standardeve më të larta të sundimit të ligjit në përzgjedhjen e vonuar të Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë Szunyog.
Çka nëse KPK-ja vendos ta zvarrisë procesin?
Thirrjen e BE-së ndaj autoriteteve të Kosovës lidhur me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Miftaraj e sheh si thirrje ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës që ta nisë menjëherë procesin e ri.
Por, Miftaraj thekson se, në rast se KPK-së i mungon vullneti për një gjë të tillë, procesi mund të zvarritet.
Siç thotë ai, ky institucion është krejtësisht i pavarur dhe nuk ekzistojnë instrumente dhe mekanizma ligjorë e kushtetues që mund ta detyrojnë të shpejtojë në rinisjen procesit.
“Mund të jetë kjo edhe tre muaj, edhe një vit. S’ke çfarë i bën. Nuk ke mekanizma. Do të thotë (KPK-ja) është shtet brenda shtetit”, thotë Miftaraj.
Vitin e kaluar, kur KPK-ja ka përzgjedhur emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, zhgënjim me procesin e përzgjedhjes kanë shprehur BE-ja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe disa organizata joqeveritare që mbikëqyrin institucionet e drejtësisë në Kosovë. Sipas tyre, procesi nuk ka qenë as i drejtë, as objektiv apo transparent.
Kryeprokurorit paraprak të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill 2022.
Besim Kelmendi është ushtrues i kësaj detyre dhe ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.
(Bekim Bislimi, REL)