Prishtinë, 16 dhjetor 2022 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se gjatë kësaj jave ka dërguar trupa shtesë dhe patrulla në veri të Kosovës.
“Ne po e monitorojmë nga afër situatën në veri të Kosovës. KFOR-i ka aftësi dhe personel për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në bazë të mandatit tonë që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha KFOR përmes një reagimi.
KFOR tha se rritja e prezencës ushtarake ka nisur që nga muaji tetor.
KFOR tha se pret që të gjitha palët të koordinohen nga afër me këtë mision dhe të përmbahen “nga shfaqjet provokuese të forcës”.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut”, u tha në reagimin e KFOR-it.
Situata e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar ditëve të fundit, pasi që nga 6 dhjetori janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngrenë barrikada, duke bllokuar rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare të lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, që Kosova thotë se dyshohet për “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
Zyrtarët serbë kanë argumentuar se nuk presin që kjo kërkesë t’iu miratohet.Beogradi po ashtu ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244.
Nga KFOR-i i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë më 16 dhjetor se kanë pranuar kërkesën e Serbisë, të cilën kanë thënë se “po e shqyrtojmë”.
(REL)