Prishtinë, 5 shtator 2024 – Një togë e kontingjentit shqiptar të KFOR-it që e përfundoi shërbimin në Kosovë u dekoruan me medalje të NATO-s. Dorëzimi u bë në një ceremoni solemne në kampin “Villaggio Italia”, në Pejë.
Komandanti i Komandës Rajonale në Perëndim, Koloneli Rocco Mundo, ka shprehur vlerësime të larta për personelin shqiptar në largim. Ai ka thënë se ushtarët shqiptarë merituan mirënjohje për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë shërbimit të tyre në kuadër të KFOR-it.
“Koloneli Mundo shprehu vlerësimin e tij për personelin shqiptar në largim, për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë dërgimit të tyre. Ata u nderuan me medaljen e NATO-s jashtë Nenit 5, në shenjë mirënjohjeje për shërbimet e tyre të shkëlqyera:, thuhet në njoftimin e KFOR-it në Facebook.
KFOR-i rikujton se misioni i tij është sigurimi i një mjedisi të qetë dhe të sigurt si edhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i rikujton gjithashtu se është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë dhe vepron në koordinim me dy reaguesit e parë, Policinë e Kosovës dhe dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX.
(r.m.)