KFOR-i konfirmon se një ushtari të lënduar në Zveçan i është amputuar këmba

Prishtinë, 10 korrik 2023 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar se një ushtari hungarez që ishte plagosur gjatë sulmit nga protestuesit serbë në Zveçan më 29 ma shërbente në Kosovë i është amputuar këmba.

Ky lajm është publikuar nga mediet hungareze, të  cilat i referohen Ministrisë së Mbrojtjes të Hungarisë.

“Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhej në njoftimin e kësaj ministrie.

Identiteti i ushtarit që ka mbetur invalid i përjetshëm nuk është publikuar.

Ministria hungareze e Mbrojtjes ka thënë se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe se ata janë ende duke u trajtuar në spital.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum”, ka thënë ministria.

Misioni i KFOR-it në Kosovë kishte konfirmuar se gjatë sulmit ndaj pjesëtarëve të këtij misioni në Zveçan, më 29 maj, ishin lënduar 30 ushtarë, 19 ushtarë hungarezë dhe 11 ushtarë italianë. Tre prej ushtarëve hungarezë ishin plagosur me armë zjarri.

(r.m.)