Prishtinë, 6 gusht 2024 – Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duhet të merret në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa paralajmëroi së do të trajtojë çdo zhvillim që ndikon mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale.
Forcat paqeruajtëse thanë se mëngjesin e së martës komandanti i KFOR-it Özkan Ulutaş, është njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për një inspektim teknik të afërt në urën kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të Mitrovicës, asaj të veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut të banuar me shumicë shqiptare.
“Njësitë e KFOR-it mbajnë një prani të përhershme në urë dhe vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth, për të garantuar qëndrueshmëri dhe siguri, në dobi të të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurt dhe qëndrueshmërinë rajonale, në pajtim me mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara”, thuhet në një komunikatë të forcave paqeruajtëse.
KFOR-i përsëriti qëndrimin se çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, duhet të merret në kuadër të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Javën e kaluar, qeveria e Kosovës u paraqiti diplomatëve perëndimorë në Prishtinë planin për hapjen e urës, i cili, siç thuhet, parasheh “testimet për qëndrueshmërinë infrastrukturore të saj, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin duke siguruar qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe një fushatë informimi gjithëpërfshirëse mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.
Por, diplomatët nuk e mbështesin këtë synim. Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, i thanë kryeministri të Kosovës Albin Kurti, se qeveritë e tyre “në këshillim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë”.
Ura e cila kontrollohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, është e hapur vetëm për lëvizjen e këmbësorëve por jo edhe të makinave, ndonëse sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, ajo është dashur të hapet.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se “nuk ka arsye që ura të mos hapet”, duke shtuar se kur do të ndodhë kjo “është çështje e vlerësimit të ekspertëve”.
Synimet për hapjen e urës kundërshtohen nga Beogradi i cili akuzon Prishtinën për trysni ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në veri.
Të hënën autoritetet mbyllën degët e Postës së Serbisë në veri, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe “zhgënjimin” e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që i cilësuan veprimet si “të njëanshme” dhe kërkojnë zgjidhjen e çështjeve të hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel.
(Zëri i Amerikës)