KFOR-i largon barrikadat e mbetura në pjesën veriore të Kosovës

Prishtinë, 3 janar 2023 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar të martën për zhvillimin e “operacioneve inxhinierike” në veri të Kosovës, për të hequr disa automjete që ende po bllokojnë rrugët atje.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar fotografi ku shihen se pjesëtarë të KFOR-it, të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), dhe të Policisë së Kosovës janë mbledhur te vendi i njohur si “Shkëmbi i Dudës”, ku ende qëndrojnë disa kamionë që kanë bllokuar rrugën.

Kamionët në këtë lokacion në Mitrovicë të Veriut, janë djegur më 29 dhjetor.

Për 20 ditë me rradhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, u vendosën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi.

Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi Dejan Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Po ashtu, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 28 dhjetor deklaruan se kanë marrë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Në njoftimin e KFOR-it në Twitter u tha se operacioni për largimin e automjeteve të bllokuara në rrugë po bëhet për të rikthyer lirinë e lëvizjes në atë zonë.

(REL)