KFOR i përgjigjet kërkesës së Serbisë për dërgimin e forcave në Kosovë; nuk e publikohet përmbajtja

Beograd, 6 janar 2023 – Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi të premten në mbrëmje se nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka marrë përgjigjen e kërkesës për vendosjen e forcave serbe të sigurisë në Kosovë. Por, ajo nuk e publikoi përmbajtjen e përgjigjes.

Sipas njoftimit, përgjigjja është marrë në vendkalimin kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në Merdar, dhe i është dorëzuar menjëherë kabinetit të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Përmbajtjen e përgjigjes nuk e bëri publike as KFOR-i.

Më 16 dhjetor, KFOR-i konfirmoi se nga Serbia e kishte pranuar një letër në të cilën kërkohej kthimi në Kosovë i deri një mijë pjesëtarëve të forcave të saj të sigurisë.

Serbia thirrej në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, e cila e përcaktonte mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

Rezoluta parashihte largimin e të gjitha forcave të sigurisë së Jugosllavisë së mbetur, si edhe kthimin e një numri të kufizuar të personelit ushtarak dhe policor pas krijimit të kushteve për kthim. Mandati i këtyre forcave ishte “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Në atë kohë Kosova konsiderohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia.

Më 17 shkurt 2008, Kosova e shpalli pavarësinë, e cila është njohur nga vendet kryesore të Perëndimit.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas dërgimit të kërkesës së serbisë, tha se Shtetet e Bashkuara refuzojnë kthimin e forcave serbe të sigurisë.

“Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë. Është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis”, tha Escobar.

Autoritetet në Kosovës e kanë cilësuar kërkesën e Serbisë si një kërcënim me aggression ndaj Kosovës.

(r.m.)