Khamenei: Rënia e Assadit, rezultat i planit amerikano-izraelit

Teheran, 11 dhjetor 2024 – Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se përmbysja e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ishte rezultat i një plani të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Ai shtoi se një nga fqinjët e Sirisë kishte gjithashtu rol, por nuk e përmendi me emër.

Mesa duket, Khamenei iu referua Turqisë, e cila i ka mbështetur rebelët kundër Assadit.

“Ajo që ndodhi në Siri, ishte planifikuar kryesisht në dhomat e komandës së Amerikës dhe Izraelit. Ne kemi prova për këtë. Një qeveri fqinje e Sirisë ishte gjithashtu e përfshirë. Ajo kishte rol të qartë dhe vazhdon ta ketë”, tha Khamenei gjatë një fjalimi që u transmetua nga media shtetërore iraniane.

Regjimi i Assadit në Siri ra më 8 dhjetor, kur pushtetin e mori organizata Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – e shpallur terroriste nga SHBA-ja.

Përmbysja e tij shihet si një goditje e madhe ndaj aleancës politike dhe ushtarake të “Boshtit të rezistencës”, të udhëhequr nga Irani.

Kjo aleancë kundërshton ndikimin e Izraelit dhe të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Irani shpenzoi miliarda dollarë për ta mbështetur Assadin gjatë luftës civile në Siri, që ka shpërthyer në vitin 2011, dhe ka dislokuar Gardën e tij Revolucionare në këtë vend për ta mbajtur aleatin e tij në pushtet.

Disa orë pas rënies së Assadit, Irani tha se pret që marrëdhëniet me Damaskun të vazhdojnë bazuar në “qasjen largpamëse dhe të mençur” të të dyja vendeve dhe bëri thirrje për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse që përfaqëson të gjitha segmentet e shoqërisë siriane.

Në anën tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se do të angazhohet me të gjitha grupet siriane “për të krijuar një rrugë tranzicioni nga regjimi i Assadit drejt një Sirie të pavarur dhe sovrane”.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*