Pragë, 23 tetor 2023 – Për presidentin rus, Vladimir Putin, lufta Izrael-Hamas është si çdo krizë tjetër në botë – një mundësi për t’i çuar përpara synimet e Rusisë në luftën në Ukrainë, thotë ish-manjati i naftës dhe aktivisti opozitar rus, Mikhail Khodorkovsky.
“Ai nuk e mbështet askënd”, thotë Khodorkovsky duke iu referuar Kremlinit.
“Ai do kaos. Putini, sot, ka nevojë për kaos, për të siguruar atë që do nga ujërat gjithnjë e më të turbullta. Dhe ajo që do, është të mos e humbasë Ukrainën”, thotë Khodorkovsky në një intervistë për kanalin Current Times të Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, Putini “krijon kaos kudo ku mundet, për t’i shpërqendruar njerëzit, për t’i shpërqendruar burimet, për t’i shpërqendruar politikanët dhe për të qenë në gjendje për ta kryer punën e tij të pistë [në Ukrainë]”.
Putin, thotë ai, “nuk ka interes personal për Hamasin”. Por, “ekziston një interes personal, praktik për destabilizimin e situatës”, sipas Khodorkovskyt.
“Nuk ka rëndësi nëse është Hamasi apo Hezbollahu, nëse është situata në Izrael apo ndonjë rrëmujë në Ballkan. Nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi, është se vëmendja e lojtarëve kryesorë botërorë është devijuar”, thotë ai.
“E paligjshme dhe kriminale”
Ish-njeriu më i pasur i Rusisë, Khodorkovsky, u arrestua në vitin 2003, nën akuzat për mashtrim, por ai thotë se akuzat kundër tij u sajuan nga Putini dhe aleatët e tij, për ta ndëshkuar veprimtarinë e tij politike dhe për t’i vënë asetet e kompanisë së tij të naftës, Yukos, në duart e shtetit.
Ai kaloi pak më shumë se një dekadë në burg përpara se të falej dhe të largohej jashtë vendit në dhjetor të vitit 2013.
Në prill të këtij viti, ai ishte në mesin e një grupi prej rreth 50 figurash kryesore të opozitës ruse, që nënshkruan një deklaratë të përbashkët, për ta dënuar pushtimin e Ukrainës dhe për ta shpallur Qeverinë e Putinit “të paligjshme dhe kriminale”.
Khodorkovsky, 60 vjeç, mohon se ka ambicie politike në Rusi, ndërsa veten e përshkruan si “një figurë publike” dhe “ndikues”.
“Jemi me muaj larg”
Prirja e Putinit për kaos, thotë Khodorkovsky, ka krijuar një “situatë të rrezikshme” globalisht.
“Ajo që na afron më shumë me një luftë globale, është se tani vërehet një normalizim i dhunës ndërkombëtare”, thotë ai.
Përpara se Rusia ta zhvillonte luftën e saj të shkurtër kundër Gjeorgjisë, në vitin 2008, bota mund të ishte ende e tmerruar nga luftërat. Tani, thotë Khodorkovsky për Current Time, “opinioni publik është mësuar me to”.
“Nëse ndalojmë së vlerësuari jetën njerëzore, sigurisht, ora e një apokalipsi bërthamor ose një apokalipsi botëror, në përgjithësi, i afrohet mesnatës”, thotë ai.
Në Perëndim ka diskutime për “lodhjen nga Ukraina”. Sipas disa analistëve, Putini shpreson se mbështetja ndërkombëtare për Kievin do të venitet dhe se ai nuk do të marrë më ndihma ushtarake.
Por, Khodorkovsky thotë se lodhja nga Ukraina apo lufta mund të jetë një problem i brendshëm edhe për vetë Putinin.
Deri më tani, thotë ai, përkundër vrasjes së dhjetëra mijëra ushtarëve rusë, ndikimit të sanksioneve perëndimore dhe kostos ekonomike të luftës, “nuk e kemi këtë zhurmë ende”.
“Ka heshtje”, thotë ai. “Pse? Sepse, Putini paguan para. Fakti që ai paguan para, për fat të keq, ka qenë një komunikim mjaft efektiv me publikun”.
Pagesat për mercenarët dhe familjet e të vrarëve ose të plagosurve, thotë Khodorkovsky, e kanë bërë luftën “të pranueshme” për shumë rusë të varfër.
“Kur do të bëhet e papranueshme?”, pyet ai.
“Përvoja historike tregon se rreth dy vjet pas fillimit të një lufte, njerëzit fillojnë të ndihen të lodhur. Unë mendoj se jemi disa muaj larg që njerëzit në Rusi të fillojnë ta ndiejnë këtë lodhje. Por, mbetet një pikëpyetje e madhe nëse kjo do të ndodhë më parë në Rusi apo në Perëndim”, thotë Khodorkovsky.
Putini nuk mund ta fitojë luftën në Ukrainë siç do të donte ai, thotë Khodorkovsky, sepse edhe nëse e mposht Kievin, ai do të mbetej duke pushtuar një vend të shkatërruar, popullsia e të cilit e urren në masë të madhe, si dhe do të përballej me gjasat e sanksioneve të përhershme.
Në një mënyrë ose tjetër, Khodorkovsky shpreh bindjen se lufta do të përfundojë me humbjen e “Rusisë Putiniste, të regjimit të Putinit”.
“Putini nuk mund ta fitojë këtë luftë në mënyrë strategjike”, thotë ai.
Mësimet nga rebelimi i Prigozhinit
Për shumë vite, qëndrimi i Putinit në pushtet është mbështetur në ushtrinë ruse dhe agjencitë e saj të sigurisë, si dhe nga perceptimi se shumica e rusëve e duan atë, thotë Khodorkovsky.
Megjithatë, rebelimi jetëshkurtër i grupit famëkeq mercenar, Wagner, dhe udhëheqësit të tij tashmë të ndjerë, Yevgeny Prigozhin, në muajin qershor, tregoi se këto shtylla mund të lëkunden.
“Rebelimi i Prigozhinit tregoi në kohë reale se ushtria nuk e mbështet Putinin”, thotë Khodorkovsky.
“A ju kujtohet se si forcat e Prigozhinit vazhduan drejt Moskës si thika nëpër gjalpë Dhe të gjitha njësitë ushtarake u larguan mënjanë”.
“As njerëzit nuk e mbështesin atë. E kemi parë se si njerëzit në Rostov mbi Don i kanë shoqëruar luftëtarët e Wagnerit…”, thotë ai.
Khodorkovsky shton se nuk ka pasur asnjë moment në Rostov kur njerëzit kanë dalë për ta mbështetur Qeverinë ose për të shprehur kundërshtime ndaj atyre që veprojnë kundër saj.
“Do të ishte e kuptueshme nëse disa njerëz do të dilnin me lule dhe kamera, ndërsa të tjerë me tulla dhe shishe”, thotë ai.
“Në atë rast do të ishte e qartë se një pjesë e shoqërisë i mbështet autoritetet aktuale dhe një pjesë jo. Por, shumica e njerëzve thjesht nuk janë të interesuar fare. Ose, thënë më mirë, kanë qenë të lumtur [me rebelimin]”, shprehet Khodorkovsky.
Edhe pse nuk ofron parashikime specifike se si mund t’i vijë fundi epokës së Putinit për Rusinë, ai parashikon se tranzicioni do të jetë i gjatë dhe i vështirë.
“Do të kalojnë së paku pesë vjet përpara se forcat demokratike të jenë në gjendje ta udhëheqin vendin [pas largimit të Putinit]”.
“Edhe nëse Putini largohet nesër ose pasnesër, do të ketë procese luhatëse për ca kohë. Ajo që do të vijë [menjëherë] pas tij, do të duket shumë e keqe”, përfundon Khodorkovsky.
(REL)