Kiev, 19 shtator 2022 – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se bota duhet të ndalojë Rusinë para se të jetë shumë vonë”.
“Rusia po e rrezikon të gjithë botën. Ne duhet ta ndalojmë atë para se të jetë shumë vonë”, tha ai.
Zelensky e bëri këtë deklaratë më 19 shtator, duke i akuzuar forcat ruse se gjatë natës së kaluar kanë sulmuar me raketë një tjetër central bërthamor në jug të Ukrainës.
Përmes rrjetit Telegram, Zelensky tha se “raketa ra 300 metra” larg centralit bërthamor të Pivdenoukrainskit, në rajonin e Mikolajivit.
Sipas tij, pas granatimit ka pasur “një ndërprerje të shkurtër të energjisë elektrike” në këtë central.
Presidenti ukrainas tha se xhamat e centralit janë dëmtuar dhe sugjeroi se “pushtuesit dëshironin të kryenin edhe një sulm, por harruan se për çfarë centrali bërthamor bëhej fjalë”.
Më herët gjatë ditës, operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Enerhoatom, i akuzoi trupat ruse se e kanë sulmuar centralin e Pivdenoukrainskit, por shtoi se reaktorët e kësaj uzine nuk janë dëmtuar dhe se puna po vazhdon normalisht.
Situata në centralin tjetër bërthamor të Ukrainës, Zaporizhja, që është pushtuar nga forcat ruse në muajin mars, vlerësohet shqetësuese. Komuniteti ndërkombëtar po kërkon që zona përreth këtij centrali të demilitarizohet dhe kontrolli i centralit t’i kthehet Ukrainës.
Raportohet se gjatë fundjavës që shkoi furnizimi me rrymë në Zaporizhja është rikthyer, gjë që ul frikën për ndonjë katastrofë të mundshme në këtë central bërthamor, që është më i madhi në Evropë.
Zyrtarët ukrainas thanë më 18 shtator se forcat ruse po kryejnë sulme ndaj infrastrukturës civile në qytetin e Zaporizhjas.
Rusia vazhdimisht i ka fajësuar forcat ukrainase për granatimin e në Zaporizhja.
(Sipas REL)