Kievi është i gatshëm të bisedojë me Moskën për armëpushim dhe paqe

Kiev, 25 shkurt 2022 – Një zëdhënës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Kievi është i gatshëm të zhvillojë menjëherë bisedime me Moskën për një armëpushim dhe për vendosjen e paqes.

Zëdhënësi i presidentit Zelenskyi, Serhiy Nykyforov, i ka mohuar raportimet se Ukraina ka refuzuar të zhvillojë bisedime.

“Ukraina ishte dhe vazhdon të jetë e gatshme për bisedime për t’i dhënë fund luftimeve dhe për paqe. Ky është pozicioni ynë i pandryshueshëm”, ka shkruar ai në Facebook.

“Ne jemi pajtuar me ofertën e presidentit rus. Në këtë moment, palët janë duke u konsultuar për vendin dhe kohën e mbajtjes së procesit negociues. Sa më shpejt që bisedimet të nisin, aq më të mëdha janë shanset që t’i kthehemi jetës normale”, ka shkruar Nykyforov, citon Radio Evropae Lirë.

Më herët, të premten, Kremlini ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të bisedojë me një delegacion ukrainas të nivelit të lartë. Bisedimet u propozua të mbahen në Minsk, në Bjellorusi.

Sipas Kremlinit, në këto bisedime do tëdiskutohej për “neutralitetin” dhe për “çmilitarizimin” e  Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk besojnë se Presidenti rus Vladimir Putin ka vullnet të bisedojë me udhëheqjen e Ukrainës për një marrëveshje midis dy vendeve.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Ned Price, tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “nën tytat e armëve”.

“Deri më tani, SHBA-ja nuk ka parë tregues se Putini ka vullnet që të lë hapësirë për diplomacy të suksesshme”, ka thënë Price.

(r.m.)