Kievi nën rrethim. Rusia sulmon me raketa dhe artileri. Forcat ukrainase rezistojnë fuqishëm

Kiev, 26 shkurt 2022 – Në mediet e vendit e tëhuaja, si edhe nërrjetet sociale, raportohet për luftime të ashpra në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Forcat ukrainase po bëjnë përpjekje të zbrapsin ushtrinë ruse, e cila synon të marrë kontrollin në Kiev.

Gazeta “Kyiv Independent” raportoi se më shumë se 50 shpërthime dhe të shtëna me artileri të rëndë janë dëgjuar në kryeqytet gjatë natës dhe të shtunën në mëngjes.

This image has an empty alt attribute; its file name is Sulmet-e-forcave-ruse-ne-Kiev-1.jpg

Autoritetet ukrainase flasin për rezistencë të fortë të forcave mbrojtëse të Kievit.

“Kievi, qyteti ynë i mrekullueshëm, paqësor, mbijetoi një natë tjetër nën sulmet e forcave tokësore ruse, raketave…”, shkroi në Twitter ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitry Kuleba.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se zona në jug-perëndim të kryeqytetit është goditur nga dy raketa të shtunën në mëngjes. Sipas kësaj agjencie, një raketë ka goditur në zonën afër aeroportit të kryeqytetit “Zhuliany”.

Sipas autoriteteve në Kiev, një nga raketat e ka goditur një ndërtesë banimi.

“Njëra prej tyre e ka goditur një apartament banimi në Kiev”, shkroi Kuleba.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se 35 persona janë plagosur në sulmet e  kryera gjatë natës. Ai tha se ndër të plagosurit janë edhe dy fëmijë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Ndertese-e-shkaterruar-nga-raketat-ruse-ne-Kiev-1.jpg

Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se në një pjesë të kryeqytetit po zhvillohet “betejë e ashpër” me forcat ruse.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha se ushtria e ka “nën kontroll” situatën në Kiev.

“Ne po e ndalojmë hordhinë, duke i përdorur të gjitha mjetet në dispozicion”, tha ai, raporton ueb-faqja ukrainase e lajmeve Lb.ua.

Të shtunën në mëngjes, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dha një mesazh motivues për ushtrinë dhe popullsinë e Kievit. Ai tha se forcat ruse e kanë rrethuar kryeqytetin, por Ukraina nuk do të kapitullojë.

“Mos u besoni lajmeve të rreme”, tha Zelensky, në një video të postuar në llogarinë e tij në Twitter.

“Unë jam këtu. Nuk i dorëzojmë armët. Do ta mbrojmë vendin tonë, të vërtetën, tokën, fëmijët tanë… Të gjitha këto do t’i mbrojmë”, theksoi ai nga Zyra presidenciale në qendër të Kievit.

Më herët, Zelensky u bëri thirrje vendit të tij që “të qëndrojë i palëkundur” kundër rrethimit, duke theksuar se kjo “mund të përcaktojë të ardhmen” e Ukrainës.

“Fati i Ukrainës po vendoset pikërisht tani… Qëllimi ynë kryesor është ta përfundojmë këtë gjakderdhje”, tha ai.

Zelensky e refuzoi ofertën amerikane për evakuimin e tij.

“Lufta është këtu”. Unë kam nevojë për municion, jo për udhëtim”, theksoi ai.

Ministri i Jashtëm, Dmitry Kuleba, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime më të ashpra  kundër Rusisë.

“I kërkoj botës: izolojeni plotësisht Rusinë, dëbojini ambasadorët, vendosni embargo në naftë, shkatërroni ekonominë e saj. Ndalojini kriminelët rusë të luftës!”, shkroi Kuleba në Twitter.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes, duke folur me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se forcat ruse kishin lëshuar një breshëri prej më shumë se 200 raketash që nga fillimi i sulmit, shumica e të cilave synonin ushtrinë ukrainase.

Por, zyrtari tha se shërbimet e zbulimit thanë se operacioni nuk po shkon ashtu siç mund të kishin shpresuar komandantët rusë.

“Rusët kanë humbur pak nga momenti i tyre,” tha zyrtari. “Ata nuk po përparojnë aq larg ose aq shpejt sa ne besojmë se ata prisnin që të bënin”.

Përparimi rus në Kiev, në veçanti, duket se ka ngecur.

“Ata po përballen me më shumë rezistencë sesa prisnin”, tha zyrtari amerikan, duke shtuar se forcat ruse nuk kishin arritur ende epërsi ajrore, pavarësisht një përparësie numerike dhe përpjekjeve për të eliminuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Komanda dhe kontrolli i Ukrainës “është i paprekur”, shtoi zyrtari amerikan.

Ministri ukrainas i Shëndetësisë, Viktor Lyashko, tha të shtunën se 198 persona janë vrarë, në mesin e të cilëve ishin edhe tre fëmijë. Por, ai nuk saktësoi nëse në mesin e viktimave janë përfshirë edhe ushtarët apo vetëm civilët.

Ai tha se 1.115 persona të tjerë, përfshirë 33 fëmijë, janë plagosur prej fillimit të operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë që filluan të enjten, me sulme masive me raketa dhe artileri nga veriu, lindja dhe jugu i vendit.

Ushtria ukrainase tha se mbi 3,500 ushtarë rusë janë vrarë dhe rreth 200 të tjerë janë zënë robër, prej fillimit të operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë, më 24 shkurt. Sipas saj, Rusia i ka humbur në Ukrainë 14 avionë, 8 helikopterë dhe 102 tanke. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga burime të paanshme.

Rusia, deri më tash, nuk ka dhënë publikuar shifra të viktimave apo të humbjeve materiale në anën e saj.

(Sipas Radios Evropa e Lirë dhe Euronews.al)