Kim: Në Shqipëri do të ketë më shumë investime amerikane kur gjykatat të jenë të pastra

Tiranë, 17 nëntor 2022 – Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka folur për rëndësinë e investimeve amerikane në Shqipëri.

Në Asamblenë vjetore të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ambasadorja Kim ka thënë se Shqipëria ka ende shumë mundësi për të ofruar.

“Investimet amerikane në Shqipëri janë më të mëdha se asnjëherë më parë. Por, ne synojmë akoma më shumë”, ka thënë ajo.

Ambasaorja Kim ka theksuar se akoma më shumë investitorë amerikanë do të vijnë të investojnë në Shqipëri, por më pare duhet të pastrohen gjykatat dhe të zbatohen rregullat.

“Do të kemi më shumë investime amerikane në Shqipëri, kur gjykatat të jenë të pastra, kur investitorët do të kuptojnë se këtu rregullat zbatohen njësoj për të gjithë”, ka theksuar ajo.

Ambasadorja amerikane ka thënë se në Shqipëri “ka aq shumë talent dhe aq shumë mundësi që nuk janë shfrytëzuar ende”. Por, ajo është shprehur optimiste për të ardhmen

“Po ju them në bazë të përvojës sime se diçka po ndodh në ajër në Shqipëri. Këtu ka mundësi. Nëse nuk do ta ndjenit këtë nuk do të ishit këtu. Të jemi seriozë për identifikimin e pengesave dhe për lehtësimin e procedurave për ardhjen e investimeve amerikane”, ka thënë ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

(Sipas Panorama.al)