Tiranë, 19 maj 2021 – Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, deklaroi të martën në mbrëmje se, bazuar në vëzhgimet e ODIHR-it, zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit ishin të rregullta dhe u administruan shumë mirë, ndërsa problemet e konstatuara pritet të trajtohen nga institucionet.
“Në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, përgëzuam popullin shqiptar për zgjedhje të mira, uruam Kryeministrin Rama për fitoren. Po ashtu, uruam edhe partinë e opozitës për zhvillimin e një fushate shumë të fortë” – tha ambasadorja Kim gjatë një interviste në emisionin Opinion të Televizionit Klan në Tiranë.
Ambasadorja amerikane theksoi se partitë politike është me rëndësi të njohin rezultatet e zgjedhjeve dhe t’I shërbejnë popullit shqiptar, ndërsa SHBA po pret të bashkëpunojë me të gjitha palët.
Ajo kujtoi se Shqipëria është prej afro dy vjetësh pa një opozitë të plotë në parlament dhe SHBA presin shtatorin kur Partia Demokratike “një pjesë e rëndësishme e historisë dhe e të ardhmes së vendit”, nevojitet të kthehet në parlament dhe mirëpret deklaratat e politikanëve të saj se do ta bëjnë këtë hap.
“SHBA duan një marrëdhënie të ngushtë me Shqipërinë. Duam që të jetë edhe më e ngushtë. Nuk ka rëndësi kush është në pushtet. Kemi punuar jashtëzakonisht mirë me cilindo që është zgjedhur nga populli shqiptar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë” – tha ambasadorja Kim.
Ajo vlerësoi faktin që në zgjedhjet e këtij viti listat e kandidatëve për deputetë përmbajnë emra më të mirë se vitet e kaluara, duke theksuar që “disa nga kriminelët më të dukshëm nuk u futën në lista ose u hoqën në kohë”, megjithatë disa arritën të hynin në to.
“Është me shumë rëndësi dhe diçka shumë e mirë që një person i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion domethënës nuk është më në parlament” – tha ambasadorja amerikane, duke iu referuar rastit të Tom Doshit.
Zonja Kim nuk pranoi të komentonte mbi nismën e deputetëve për të shkarkuar presidentin e Republikës, Ilir Meta, duke e cilësuar si “çështje të brendshme”. Ajo theksoi se në komunikimet me presidentin Meta dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë gjithmonë ka bërë të qarta qëndrimet e SHBA-ve mbi temat e biseduara.
Ambasadorja amerikane vlerësoi gjatë intervistës ecurinë e reformës në sistemin gjyqësor të mbështetur nga SHBA dhe BE. Ajo tha se SPAK ka përparuar shumë në një vit, ka marrë nën hetim 746 persona vitin e kaluar, 264 këtë vit, dhe ka konfiskuar pasuritë të paligjshme.
“Reforma në drejtësi nuk ka për të qenë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Po ndodh përparim i vërtetë dhe ai nuk do të jetë vijë e drejtë. Ecja përpara është ajo që po shihni. Pandëshkueshmëria duhet të marrë fund” – tha ambasadorja Kim.
Ajo theksoi se FBI amerikane po stërvit mbi 30 hetues shqiptarë si pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe po bëhen përgatitje për më shumë hetues.
Ambasadorja amerikane përmendi si pjesë të përparësive në Shqipëri edhe mbrojtjen, duke kushtuar vëmendje stërvitjes “Defender 21” si nga numrat e pjesëmarrësve ashtu edhe nga rëndësia e bashkëpunimit.
“Kemi tri përparësi këtu: Demokracia, Mbrojtja, Biznesi dhe duam të bëjmë përparim në të trija këto, sepse janë të ndërlidhura. Nuk është vetëm reforma në drejtësi për hir të reformës në drejtësi. Nuk është thjesht biznesi për hir të biznesit. Nuk janë thjesht ushtarë, janë 28 mijë trupa nga 26 shtete, që po stërviten në 16 vende. Kjo dëshmon rëndësinë e Shqipërisë si aleate në NATO” – tha ambasadorja amerikane Yuri Kim.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)