Tiranë, 22 nëntor 2022 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, duket të ketë dyshime në procesin që pritet të çojë në zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Ndërsa një ditë më parë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi tre kandidaturat, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili, Kim, përmes një postimi në Twitter, sot nënvizoi nevojën që procesi të jetë “transparent” dhe “i pamanipuluar”, duke lënë të kuptohet për përpjekje të mundshme për ndërhyrje në përzgjedhjen e drejtuesit të ardhshëm.
“Tani që janë konfirmuar kandidatët për kreun e ardhshëm të Prokurorisë së Posaçme, është thelbësore që procesi të jetë transparent, në mënyrë që drejtuesi i ardhshëm, së pari, të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe rezultateve të arritura, dhe së dyti të jetë i aftë dhe i vendosur për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan ambasadorja.
1/2 Now that candidates for the next SPAK chief are confirmed, it is essential for the process to be transparent so that the next chief is (1) selected based on qualifications & track record and (2) capable & determined to intensify the fight against corruption & organized crime.
— U.S. Ambassador to Albania (@USAmbAlbania) November 22, 2022
Pjesa e dytë e postimit të saj, duket të jetë veçanërisht e lidhur me shqetësimin ndaj procesit të përzgjedhjes, që siç vë në dukje ambasadorja amerikane “duhet të jetë i pa manipuluar nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë drejtësinë, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi. Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë. SPAK-u, si dhe reforma në drejtësi, duhet të jetë për të ardhmen e Shqipërisë”.
Të tre kandidaturat janë prokurorë të Prokurorisë së Posaçme. Dy prej tyre, Dumani dhe Kondili, morën pjesë dhë në garën e zhvilluar tre vjet më parë, kur u zgjodh zoti Arben Kraja, drejtuesi i parë i këtij institucioni, i cili nisi punën pa numrin e plotë të prokurorëve, ndërkohë që Byroja Kombëtare e Hetimit, pjesë e tij, u bë funksionale shumë më vonë.
Mandati i drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme është tre vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të duhet të zgjidhet me votën e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të prokurorisë. Këta të fundit do të dëgjojnë secilin prej kandidatëve teksa pritet të shpalosin dhe platformat e tyre mbi mënyrën se si mendojnë të organizojnë dhe drejtojnë punën e institucionit.
(Zëri i Amerikës)