Kim: Qeveria e SHBA-së do të vë para përgjegjësisë individët e korruptuar dhe organizatat kriminale

Tiranë, 3 qershor 2021 – Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ka reaguar pas vendimit të Presidentit amerikan, Joe Biden, për ta shpallur luftën kundër korrupsionit si prioritet të sigurisë kombëtare.

Ambasadorja Kim ka theksuar se qeveria amerikane do të ndërmarrë më shumë hapa për të kërkuar llogari ndaj individëve të korruptuar dhe organizatave kriminale transnacionale.

“Presidenti Biden vendosi sot zyrtarisht luftimin e korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të SHBA. Prandaj, qeveria e SH.B.A.-së do të ndërmarrë më shumë hapa për të kërkuar llogari ndaj individëve të korruptuar, organizatave kriminale transnacionale dhe të tjerëve. Hapat do të përfshijnë forcimin dhe ndërtimin e sanksioneve anti-korrupsion të synuara; forcimi i veprimit të zbatimit të ligjit; dhe rritjen e mbështetjes për shoqërinë civile, mediat, organet shtetërore dhe lokale, partnerët ndërkombëtarë dhe aktorët e tjerë të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies”, shkruan Kim në Twitter.

Shtëpia e Bardhë e shpalli sot luftën kundër korrupsionit si një prioritet themelor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Përmes një memorandum, Presidenti Biden tha se “administrata amerikane do të udhëheqë përpjekjet për të nxitur qeverisje të mirë, transparencë në sistemet financiare të Shteteve të Bashkuara dhe globale, si dhe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin brenda dhe jashtë vendit”.

Me përfshirjen e luftës anti-korrupsion në përparësitë e saj, administrata Biden angazhohet të ndërmarrë hapa të rinj për të vënë para përgjegjësisë individët e korruptuar, organizatat kriminale transnacionale dhe aktorë të tjerë të përfshirë në veprimtari të paligjshme.

“Kjo përfshin forcimin dhe ndërtimin e sanksioneve që synojnë luftë kundër korrupsionit sipas Ligjit Magnitsky dhe kompetencave të tjera të të ngjashme; dhe përfocimin e masave penale ose civile, të tilla si Nisma Departamentit të Drejtësisë për Rimarrjen e Pronave të Siguruara përmes Kleptokracisë”, thuhet në memorandum.

(r.m.)