Hagë, 2 qershor 2023 – Ish-prokurorja federale amerikane, Kimberly West, është emëruar prokurore e specializuar në Gjykatën Speciale të Hagës, e cila heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
West do të marrë detyrën që më parë u krye nga Jack Smith, i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në nëntor të vitit 2022, për të marrë një pozicion si prokuror për hetimet ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ajo do të jetë prokurorja e tretë e specializuar, pas Jack Smith dhe David Schwendiman.
Alex Whiting, ushtrues detyre i prokurorit special që nga nëntori i vitit 2022, do të vazhdojë të mbajë këtë detyrë derisa West të marrë përgjegjësitë e saj.
Në biografinë e saj, thuhet se West ka përvojë të gjerë në hetimet penale të brendshme dhe ndërkombëtare me mbi dy dekada përvojë prokuroriale në role lokale, shtetërore, federale dhe ndërkombëtare.
West ka trajtuar raste që variojnë nga mashtrimet financiare deri te korrupsioni publik dhe ka punuar edhe në ndjekje penale ndërkombëtare të profilit të lartë.
Ajo ka shërbyer si Shefe e Byrosë Penale në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Masaçusett dhe si ishte për 5 vjet prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku thuhet se luajti rol kyç në ndjekjen penale të Radovan Karaxhiçit për përfshirjen e tij në gjenocidin e Srebrenicës.
“Emërimi i zonjës West sjell një pasuri të ekspertizës ligjore në rolin e saj të ri pasi ajo merr përgjegjësinë për të çuar përpara punën e Prokurorisë së Specializuar”, thuhet në komunikatë.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova i shprehu urimet e saj prokuroren e re, ku tha se ajo “padyshim që do t’i shërbejë më së miri Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe do të kontribuojë qenësishëm për përmbushjen efikase të mandatit të kësaj zyre”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë – të njohura ndryshe si Gjykata Speciale për Krime Lufte, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015.
(REL)