Kina dërgon avionë dhe anije luftarake drejt Tajvanit

Taipei, 8 prill 2023 – Kina dërgoi anije dhe avionë luftarakë drejt Tajvanit të shtunën, njoftuan autoritetet tajvaneze.

Të shtunën, tetë anije luftarake dhe 42 avionë u zbuluan pranë Tajvanit. 29 prej tyre fluturuan përgjatë vijës së ngushtricës që ndaj ishullin nga Kina, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit.

Ushtria kineze nuk dha asnjë sinjal nëse patrullimet mund të përfshijnë përsëritjen e stërvitjeve të mëparshme si lëshimi i raketave në det, çfarë patën shkaktuar ndëprerjen e tansportit ajror dhe detar.

Ushtria kineze njoftoi fillimin e patrullimit ushtarak tre-ditor, si një paralajmërim për tajvanezët që duan ta bëjnë të përhershme pavarësinë de facto të ishullit, ndërsa Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj.

Këto veprime të Kinës shihen si hakmarrje për takimin e Presidentes së Tajvanit, Tsai Ing-wen, me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Kevin McCarthy, dhe disa ligjvënës të tjerë në SHBA. Takimi u zhvillua  të enjten në Bibliotekën Presidenciale “Ronald Reagan” në Kaliforni, në shenjë të mbështetjes amerikane për Tajvanin karshi kërcënimeve nga Kina.

Pekini u përgjigj të premten duke vendosur ndalimin e udhëtimeve në Kinë dhe sanksione financiare ndaj grupeve dhe individëve amerikane të lidhur me vizitën e Presidentes Tsai në Shtetet e Bashkuara.

Pekini konsideron se kontaktet e autoriteteve tajvaneze me autoritetet e huaja e inkurajon Tajvanin që kërkon edhe formalisht pavarësinë, një hap që, sipas udhëheqjes kineze, mund të shkaktojë luftë.

Tajvani u nda nga Kina në vitin 1949 pas luftës civile. Pekini ka paralajmëruar edhe marrjen me forcë të kontrollit mbi Tajvanin, nëse kjo është e nevojshme.

(r.m.)