Beograd, 8 maj 2024 – Rojat ushtarake u rreshtuan të mërkurën në Beograd për të pritur presidentin kinez Xi Jinping, i cili arriti të martën në mbrëmje në Serbi, për të diskutuar investimet prej disa miliardë eurosh në vendin ballkanik, i cili synon integrimet evropiane por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Pekinin.
Avionët e prodhimit rus Mig-29 shoqëruan avionin e presidentit kinez derisa po arrinte në Beograd të martën.
“Ne po shkruajmë historinë sot”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç para një turme të mbledhur para pallatit presidencial serb të mërkurën.
Të dy udhëheqësit mburren me një “partneritet të hekurt” midis vendeve të tyre. Së bashku me Hungarinë, e cila është ndalesa e radhës e presidentit Xi, Serbia është mbështetësja më e fortë në Evropë e projektit të madh infrastrukturor të Kinës të njohur si “Breza dhe Rrugë”, nëpër pjesë të Azisë dhe Evropës.
Presidenti Xi tha se ishte i prekur nga pritja e ngrohtë dhe shfaqi besimin se vizita e tij do të “hapë një kapitull të ri” në marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Serbia është bërë partneri i parë strategjik i Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore”, tha presidenti Xi, duke iu referuar një marrëveshjeje të vitit 2016 për një partneritet strategjik midis dy vendeve.
Presidenti Vuçiç tha se Serbia e konsideron ishullin e Tajvanit, që Pekini e sheh si një provincë e shkëputur, si pjesë të Kinës, ashtu siç Kina e konsideron Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, si pjesë të Serbisë.
Vëzhguesit thonë se vizitat në Serbi dhe Hungari, janë pjesë e përpjekjeve të presidenti Xi për t’u afruar me dy vende evropiane që janë pro Rusisë dhe përfituese të mëdha të investimeve kineze.
Gjatë vizitës së presidentit Xi në Francë, presidenti Emmanuel Macron dhe shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i kërkuan udhëheqësit kinez të sigurojë tregti më të balancuar me Evropën dhe të përdorë ndikimin e tij në Rusi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por pa rezultat, sipas analistëve.
Simbolika e vizitës
Vizita e presidentit Xi ndodh në përvjetorin e bombardimit të ambasadës kineze në Beograd nga NATO-ja e cila po kryente një fushate kundër forcave serbe për ta detyruar ish udhëheqësin serb Slobodan Milosheviç t’i japë fund shtypjes së shqiptarëve në Kosovë.
Bombardimi, i cili vrau tre gazetarë dhe plagosi 20 shtetas kinezë, shkaktoi zemërim në Kinë dhe një kërkim falje nga presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton.
“Populli kinez e vlerëson paqen, por kurrë nuk do të lejojë që një tragjedi historike të përsëritet”, tha të martën presidenti Xi në një artikull autorial në të përditshmen Politika të Beogradit.
Vitin e kaluar, presidenti Vuçiç nënshkroi një marrëveshje mbi tregtinë e lirë me presidentin Xi, e cila duhet të hyjë në fuqi në muajin korrik, duke hapur dyert e tregut të madh kinez për kompanitë serbe.
“Marrëveshja për tregti të lirë do të sjellë siguri për fermerët tanë”, tha presidenti Vuçiç gjatë fjalës së tij përshëndetëse.
Kina zotëron miniera dhe fabrika në të gjithë Serbinë dhe ka dhënë miliarda hua për rrugë, ura dhe objekte të reja, duke u bërë partneri kryesor i Serbisë në zhvillimin e infrastrukturës shumë të nevojshme.
Sipas agjencisë serbe të investimeve, në vitin 2023 Kina ishte partneri i dytë më i madh tregtar i Serbisë pas Bashkimit Evropian, me një shkëmbim tregtar prej 6.1 miliardë dollarësh dhe ndër pesë investitorët kryesorë të saj.
(Zëri i Amerikës)