Pekin, 25 gusht 2023 – Ministria e Mbrojtjes e Kinës u kërkoi më 25 gusht Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta ndalojnë “armatosjen” e Tajvanit, pasi Departamenti amerikan i Shtetit e miratoi një shitje potenciale prej 500 milionë dollarësh të sistemeve të gjurmimit të avionëve luftarakë F-16 dhe pajisjeve të tjera në Tajvan.
“Kina i kërkon palës amerikane ta përmbushë në mënyrë efektive angazhimin e saj për të mos e mbështetur pavarësinë e Tajvanit, ta ndalojë menjëherë armatosjen e Tajvanit dhe ta ndalojë rritjen e lidhjeve ushtarake SHBA-Tajvan”, tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes, Zhang Xiaogang.
SHBA-ja, si shumica e vendeve të botës, nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, por është mbështetësi më i rëndësishëm ndërkombëtar i Tajvanit dhe e furnizon atë me armë, gjë që e zemëron Pekinin.
Në fund të korrikut, SHBA-ja e prezantoi pakon e ndihmës ushtarake për Tajvanin në vlerë të 345 milionë dollarëve, e cila besohet se do ta forcojë kapacitetin e ishullit për ta luftuar ndonjë pushtim eventual nga Kina.
Kandidati kryesor për t’u bërë presidenti i ardhshëm i Tajvanit tha më 25 gusht se komuniteti ndërkombëtar e fajëson Kinën dhe jo Tajvanin për rritjen e tensioneve përgjatë ngushticës së Tajvanit.
“Komuniteti ndërkombëtar e kupton se tensionet e fundit nuk janë për shkak të presidentes Tsai ose për shkak të Tajvanit, por për shkak të Kinës”, tha në një konferencë shtypi nënpresidenti i Tajvanit, William Lai.
Lai është kandidati presidencial i Partisë Progresive Demokratike në pushtet për zgjedhjet e janarit dhe kryeson në sondazhe. Presidentja Tsai Ing-wen nuk mund të kandidojë sërish, pasi ka kryer dy mandate në detyrën e presidentes.
Kina, e cila e pretendon Tajvanin si territor të saj, ka një mospëlqim të veçantë ndaj Lait për komentet e tij të mëparshme se është “punëtor” për pavarësinë e Tajvanit, megjithëse ai ka thënë gjatë fushatës se do të ruante status quo-në dhe e ka përsëritur vazhdimisht se është i gatshëm të bisedojë me Pekinin.
Kina organizoi stërvitje ushtarake rreth Tajvanit më 19 gusht në përgjigje ndaj vizitave të shkurtra që Lai i bëri në SHBA këtë muaj, gjatë rrugës për dhe nga Paraguaji.
Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949, pas një lufte civile e cila mbaroi me Partinë Komuniste në pushtet në Kinë.
Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë asnjëherë pesë e Republikës Popullore të Kinës, por Pekini e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që duhet ta rimarrë, qoftë edhe me forcë.
(REL)