Tridhjet e nëntë avionë luftarakë të Kinës fluturuan drejt Tajvanit, në kohën kur tensionet mbi të ardhmen e këtij ishulli janë rritur.
Në mesin e avionëve që fluturuan të dielën mbi Tajvan kishte edhe avionë luftarakë të tipit J-16 dhe J-10, tha Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit.
Forcat ajrore të Tajvanit thanë se ngritën në qiell avionët e tyre për të gjurmuar avionët kinezë. Avionët e Kinës po ashtu u detektuan edhe në radarë, tha Ministria.
Dërgimi i avionëve kinezë drejt Tajvanit vjen pasi ushtria amerikane tha se dy grupe të saja të luftanijeve po lundronin të dielën në Detin Jugor të Kinës. SHBA-ja tha se luftanijet USS Carl Vinson dhe USS Abraham Lincoln u angazhuan në operacione për sulme nga nëndetëset dhe ato ajrore si dhe ishin në gatishmëri.
Ky është numri më i madh i avionëve që Kina ka nisur gjatë këtij viti drejt Tajvanit.
Tajvani dhe Kina kishin zhvilluar një luftë civile më 1949 dhe Kina pretendon se ky ishull është territor i saj. Pekini ka përdorur rrugë diplomatike dhe ushtarake për ta izoluar ishullin dhe frikësuar autoritetet e këtij ishulli, por SHBA-ja ka vazhduar ta mbështesë Tajvanin, duke i shitur armë të avancuara dhe avionë luftarakë.
Që më shumë se një vit, pilotët kinezë fluturojnë drejt Tajvanit pothuajse në baza ditore. Në tetorin e vitit të kaluar, brenda një dite, Kina dërgoi 56 avionë luftarakë drejt Tajvanit.
Tensionet janë rritur që prej se tajvanezët më 2016 zgjodhën në postin e presidentes, Tsai Ing-wen. Pekini u përgjigj duke ndërprerë komunikimet me Qeverinë e Tajvanit. Paraardhësi i Tsait ishte i afërt me Kinën dhe Pekini pretendon se të dy shtetet janë pjesë e kombit kinez. (rel)