Kino, me një projekt të ri për kthimin te kënga e pastër shqiptare

Një intervistë me këngëtarin e njohur të komunitetit shqiptar në SHBA

Nga Ruben Avxhiu

Nuk ka vend ku jetojnë shqiptarë në përtej Oqeanit, ku nuk ka kënduar Kino duke bërë që të kumbojë muzika, kënga e vallja tradicionale shqiptare.

Dallga e ndjenjave dhe debateve për Parashqevinë Simakun në SHBA ktheu vëmendjen nga bota e muzikës shqiptare në SHBA. Një nga kolegët me të cilët ajo ka kënduar në vitet e para pas vendosjes në SHBA ka qenë pikërisht Kino.

Ai na tregoi për ato vite, që përkonin me një periudhë tepër të vështirë për shqiptarët në ish-Jugosllavi, sidomos në Kosovë. Kino është shquar jo vetëm si artist në skenë por edhe si një emër i përhershëm në çdo koncert e organizim për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë.

I ardhur vetë nga Peja, të cilën e përshkruan “si një vatër e artit dhe kulturës shqiptare, nga ku kanë dalë shumë artistë të çmuar”, ai flet për vitet e tij të para në rrugën e artit dhe muzikës, vendosjen në SHBA, vitet e vështira të rezistencës kombëtare në Kosovë, bashkëpunimin e gjatë me artistët e shquar Merita Halili dhe Raif Hyseni, koncertin madhor për ikonat e muzikës shqiptare Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha, si dhe për një projekt të ri për rikthim te kënga e pastër shqiptare.

I jemi mirënjohës Kinos për kohën që i kushtoi gazetës “Illyria” dhe e falenderojmë për çka na ka dhuruar në vite nga skena në skenë, në zemrën e komunitetit shqiptaro-amerikan. Le të jetë ky një vit i frytshëm për të dhe të gjithë artistët shqiptaro-amerikanë.

Kino

Kino, unë ju mbaj mend që nga vitet e 90-ta kur bashkë me disa artistë të tjerë të komunitetit organizonit koncerte për të mbledhur ndihma që të ndihmohej populli i Kosovës dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi?

Vitet ’90 ishin ndër vitet më të vështira për popullin tonë. Koha e represionit serb jo vetëm që rëndoi aspektin ekonomik, por edhe atë emocional. Ishin kohë të vështira, kur shumë pak prej nesh kishin mundësi të vizitonin vendlindjen dhe të afërmit. Në atë periudhë, unë isha shumë aktiv në organizimin dhe pjesëmarrjen e mbrëmjeve humanitare, duke filluar nga shoqata “Vatra”, “Motrat Qiriazi”, Fondi i Përbashkët Shqiptar dhe LDK, me qëllim që të ndihmohej populli i Kosovës.

Këto aktivitete u intensifikuan edhe më shumë gjatë luftës së fundit, ku një pjesë e madhe e fondeve shkuan për të mbështetur luftën tonë çlirimtare.

Na e kujtoni për lexuesit, ju vetë kur erdhët në Amerikë? Ku ndodhet vendlindja dhe ku i kaluat vitet e para te jetes,  Si u lidhët me muzikën dhe këngën? Kur e kuptuar se kishit një zë ndryshe apo që kjo është rruga e jetës që dëshironit?

Peja është qyteti im i lindjes, ku kalova vitet e rinisë. Qyteti im njihet si një vatër e artit dhe kulturës shqiptare, nga ku kanë dalë shumë artistë të çmuar. Fillet e karrierës sime datojnë që nga shkolla fillore, kur u gjenda për herë të parë përballë mësueses së nderuar Sofije Gashi. Ajo vërejti talentin tim për muzikë dhe që nga ajo kohë, u angazhova në aktivitete muzikore në shkollë.

Më pas, këto aktivitete u shtrinë edhe jashtë saj, çka nuk ishte shumë e vështirë, pasi Peja ishte e pasur me artistë të shquar. Duke u rrethuar nga emra të njohur si Ramadan Krasniqi, Sebahate Berisha-Berjalolli e të tjerë, karriera ime mori hov edhe më të madh.

Ardhja ime në Amerikë ndodhi fillimisht si një vizitë pune. Ishim të ftuar së bashku me orkestrën për të kënduar për bashkatdhetarët tanë në New York, në një nga restorantet e para shqiptare të asaj kohe, “Villa Luigi”. Planifikuam të qëndronim për një periudhë të shkurtër dhe më pas të ktheheshim në vendlindje.

Por fati e deshi ndryshe. Situata në Kosovë po keqësohej dita-ditës dhe, si shumë bashkatdhetarë të tjerë, përfundova duke mbetur në Amerikë.

Cilat kanë qenë daljet e para në publik?

Mbaj mend që dalja ime e parë skenike ishte gjatë festave të organizuara nga shkolla, ku për atë kohë kishte një interesim të madh nga publiku. Atë moment e kujtoj shumë mirë, kur u gjenda për herë të parë përpara një mase të madhe njerëzish.

Më pas, u angazhova në orkestrën e qytetit të Pejës, nën udhëheqjen e maestros Xhevdet Bakraqi. Ky ishte një hap i rëndësishëm për zhvillimin tim artistik, që më dha mundësinë të performoja dhe të përfshihesha më thellë në botën e muzikës.

Më duket ka një histori Emri në Art, “Kino”, nëse doni të na tregoni… Por ju keni pasur gjithmonë një lloj prezence dhe stili paraqitjeje në skenë që ndryshonte nga këngëtarët e tjerë të komunitetit. Çfarë ju ka formuar si artist? Cilët kanë qenë disa nga idhujt tuaj të muzikës?

Emri “Kino” ishte një emër përkëdhelës që e mora nga fëmijët e lagjes qysh kur isha fëmijë. Që në vegjëli, isha i rrethuar nga artistë dhe i ndikuar nga muzika e mirëfilltë qytetare, si këngët e Shyqeri Alushit, Big Ndos dhe shumë këngëtarëve të tjerë të asaj kohe.

Duke u rritur, fillova ngadalë të mishëroja artin kosovar dhe mbarëshqiptar, duke zhvilluar një stil të veçantë që përfaqësonte jo vetëm ndikimet e mia, por edhe frymën e muzikës dhe kulturës shqiptare.

Ju jeni nga artistët e preferuar prej vitesh tashmë për shqiptarët, sa herë që kanë aktivitete, shpesh në bashkëpunim me këngëtarë e artistë të tjerë. Si mendoni pse ju preferojnë shqiptarët?

Ashtu si unë, edhe shumë artistë të tjerë shqiptarë konsideroheshim si një dritare komunikimi me vendlindjen. Në atë kohë, komunikimi me atdheun ishte i kufizuar, dhe për shumë shqiptarë, kënga shqipe ishte e vetmja mënyrë për t’u ndjerë më afër vendlindjes.

Pas kaq dekadash, i kudondodhur me koncerte, a ka ndonjë vend në SHBA ku banojnë shqiptarë ku nuk keni qenë apo ju ka mbetur merak? Se më duket se keni qenë kudo.

Vështirë të aludoj, por duket sikur në çdo cep ku kishte shqiptarë, ne ishim aty. 

Shpesh në darkat e mëdha këndojnë më shumë se një artist, si është bashkëpunimi juaj me këngëtarë e artistë të komunitetit? A keni disa që preferoni? A keni ndonjë që nuk ju shkon bashkëpunimi apo e shmangni? (Pa qenë nevoja për emra të përveçëm.) Si është bashkëpunimi mes artistëve në komunitet.

Në karrierën time kam bashkëpunuar me shumë këngëtarë, duke ndarë momente të veçanta. Një nga bashkëpunimet më të spikatura ishte ai me orkestrën e Raif Hysenit dhe bilbilin e këngës, Merita Halili, me të cilën kam punuar për më shumë se 28 vite. Edhe sot e kësaj dite, vazhdojmë të bashkëpunojmë së bashku, po thuajse në çdo mbrëmje këtu në Amerikë.

Tani, të flasësh për bashkëpunimin dhe muzikën në tërësi është pak më e vështirë, pasi kemi evoluar në një drejtim tjetër, përtej asaj që ishim mësuar. Sot, ka këngëtarë të rinj dhe zhanre të tjera të preferuara që nuk janë në zhanrin tim. Megjithatë, me këngëtarët e gjeneratës sime, ende kemi një komunikim dhe bashkëpunim të mirëfilltë.

Kino, me Merita Halilin, Raif Hysenin dhe muzikantët e orkestrës: Mirgjenin, Sevimin dhe Ylberin.

Nuk e di nëse i keni parë debatet e fundit për Parashqevi Simakun? Ju keni kënduar shumë herë me të ashtu si me plot këngëtarë e artistë të tjerë shqiptarë. Sa e vështirë mund të bëhet jeta e artistit në SHBA? Si është përvoja e kolegëve tuaj, me aq sa keni parë?

Mbaj mend fillimet e saja në Amerikë dhe bashkëpunimet e para, të cilat i pati pikërisht me mua. Kujtoj shumë mirë se ishim në restorantin IDEAL në Staten Island, ku kënduam për disa muaj. Më pas, vazhduam edhe në mbrëmje të tjera dhe organizime për Vitin e Ri të asaj kohe.

Unë mund të them se Parashqevi ishte një këngëtare me emër dhe me një paraqitje të pazëvendësueshme skenike.

Karriera e një artisti në SHBA nuk është e lehtë, pasi ka shumë pak mundësi krijimi dhe, tani, në këtë kohë, as që mund të jetosh vetëm prej artit.

Kur këndonit në ato vite gjendja e shumë shqiptarëve në atdhe ka qenë e mjerueshme. Në Kosovë ishte edhe punë ekzistence. Por sot kanë ndryshuar shumë gjëra. Janë shtuar edhe artistë nga atdheu që vijnë dhe këndojnë këtu. Si e shihni këtë ndryshim? Sa ka ndryshuar vetë komuniteti sipas jush?

Po të flasim për periudhën e kaluar, kur këndonim dhe organizonim aktivitete për bashkatdhetarët në vitet e 90-ta, situata ishte shumë e vështirë për shqiptarët në atdhe, veçanërisht në Kosovë. Gjatë atyre viteve, shumë njerëz jetonin në kushte ekstreme, dhe pjesa më e madhe e diasporës përpiqej të kontribuonte për t’i mbështetur ata. Këngët dhe aktivitetet humanitare nuk ishin vetëm për argëtim, por edhe një formë solidariteti dhe mbështetjeje për popullin që po vuante.

Ndryshimi që ka ndodhur gjatë viteve të fundit është i dukshëm. Sot, jo vetëm që artistët nga Kosova dhe Shqipëria kanë mundësi të performojnë nëpër mbarë botën, por edhe komuniteti shqiptar ka pësuar një transformim të madh. Nuk flasim më për një diasporë të izoluar, por për një komunitet shumë të fortë, i cili është bërë pjesë integrale e shoqërive ku jeton, siç është në Amerikë, ku shqiptarët kontribuojnë aktivisht në fusha të ndryshme. Artistët e rinj, që vijnë nga atdheu, sjellin një freski dhe një diversitet të ri që pasqyron ndryshimet shoqërore dhe kulturore që janë ndodhur në vend.

Në këtë karrierë kaq të pasur në gjirin e shqiptarëve të Amerikës, a keni ndonjë moment që e kujtoni më me nostalgji apo që ju ka bërë të ndiheni më shumë krenar, apo që ju ka emocionuar më shumë, që mund ta ndani me ne?

Ishte koncerti i fundit i viteve ’90, një ngjarje e organizuar nga Shoqata “Motrat Qiriazi” me qëllimin për të ofruar mbështetje simbolike dhe respekt për dy emra të mëdhenj të muzikës dhe kulturës shqiptare, Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha. Ky koncert kishte një rëndësi të veçantë, pasi ishte një moment i shenjët dhe shumë i ndjeshëm për të gjithë ne.

Për mua, ky koncert kishte emocione të përziera. Nga njëra anë, ndihesha i nderuar dhe krenar që mund të këndoja për dy mbretëreshat e muzikës shqiptare, dy femra që kanë dhënë shumë për kulturën tonë dhe që emrat e tyre janë të lidhur ngushtë me shpirtrat dhe zemrat e shqiptarëve, pavarësisht kufijve dhe mundësive. Ato ishin shembuj të forcës, artit dhe guximit.

Nga ana tjetër, gjithçka ishte mbushur me një ndjesi mjerimi që kishte kapluar popullin tonë gjatë atyre viteve të vështira të ’90-ës. Kosova dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi po përballeshin me represionin dhe izolimin që kishte ndikuar në çdo aspekt të jetës. Kënga, që dikur ishte një burim gëzimi dhe festimi, ishte shndërruar në një mjet të solidaritetit dhe mbështetjes për të mbajtur gjallë shpresën dhe dinjitetin, në një kohë kur shumë njerëz po vuanin.

Kështu, ky koncert ishte një simbol i forcës dhe bashkimit të popullit shqiptar, që pavarësisht kushteve të vështira, e ruajti kulturën dhe artin e tij. Ishte një mundësi për t’u shprehur dhe për të bërë një thirrje për mbështetje dhe ndihmë, si dhe për të nderuar ata që kishin lënë një gjurmë të paharrueshme në muzikën shqiptare. Për mua, ky koncert do të mbetet gjithmonë një kujtim i paçmuar, një dëshmi e unitetit dhe e dashurisë për atdhenë dhe kulturën tonë.

Besoj se do të këndoni gjithë jetën, por a keni ndonjë plan apo projekt konkret në këtë moment? Për vitin që sapo filloi 2025? 

Muzika është një pjesë e pandashme e jetës sime, dhe gjithashtu, këtë vit që sapo kemi hyrë, kemi në plan të ri-krijojmë disa këngë të vjetra të repertuarit, duke i rikthyer këngës së pastër shqipe. Besoj se publiku do ta mirëpresë këtë projekt, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, pasi është një mundësi për të sjellë përsëri në vëmendje ato këngë që kanë pasuruar dhe ndihmuar ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.

Comment

*