Artur Vrekaj
Genocidi grek ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë është një nga tragjeditë më çnjerëzore që ka njohur njerëzimi dhe Europa moderne në kulmin e luftës së Dytë Botërore. Shfarosja, spastrimi etnik i shqiptarëve të Çamërisë për disa dekada rresht është pjesë e MegaIdesë së Greqisë, sipas dokumentacioneve të cituara në këtë studim.
Më 1881 në Janinë kryepeshkopi Grek Sofron themeloi Komitetin për aneksimin e Epirit. Kisha Greke kishte në misionin e saj asgjësimin e kombësisë shqiptare në Greqi dhe Shqipëri. Ajo u bë një me Portën e Lartë kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sipas Vasil Krapsites, “shteti në bashkëpunim me kishën Greke filloi hapjen e shkollave Greke në Çamëri më 1850.” (Historia e Paramithisë)
Mitropoliti i Paramithisë Neofiti në raportin e tij, më 27 korrik 1909, këmbëngulte që të mos dërgoheshin mësues shqipfolës në fshatrat Shqiptarë të mitropolisë së tij. Ndërkohë që kisha Greke mbillte farën e përçarjes fetare dhe urrejtjen për çamët myslimanë.
Më 1913, Dhespoti Neofiti është ndër organizatorët e masakrës së Selanit në Paramithi ku u ekzekutuan 72 krerët Çamë.
Më 1914 Mitropolitët grekë ishin në përbërje të qeverisë autonome të Vorio-Epirit të Jorgo Zografos me ministër Mitropolitin e Drinopulit, Vasilios Papahristo, Mitropolitin e Kosturit që u transferua në Korçë, Germanos Karavangjeli dhe Mitropolitin e Konicës Spiridon Vllahu që është edhe shkruesi i aktit të aneksimit të Shqipërisë së Jugut. Në maj të 1915-ës këta mitropolitë ishin organizatorët e Kongresit të Vorio-Epirit ku zgjodhën deputetët për në parlamentin Grek.
Prej genocidit grek më 1944-1945 shumë nga shqiptarët e Çamërisë u organizuan në Amerikë me shoqatën Çamëria të Hartford, Connecticut me kryetar Herri Çeçko. Kjo shoqatë i dërgoi letër Presidentit amerikan Truman më 25 Qershor 1945 për të Drejtën Njerëzore për rikthimin e Çamëve në Çamëri dhe njohjen ndërkombëtare të genocidit çam.
Kanë kaluar 100 vjet nga marrëveshja Greko-Turke për shkëmbimin e popullsisë Shqiptare të Çamërisë në Turqi me popullsinë greke të Anadollit. Kjo është edhe shpërngulja e parë e detyruar nga shteti grek me një arsye të vetme shfarosjen e kombësisë shqiptare në Çamëri e Greqi.
Vetëm Turqia dhe Italia kundërshtuan planin e shpërnguljes që i identifikonte shqiptarët myslimanë të Çamërisë si turq. Kështu, Venizellos-i pranoi se çamët myslimanë janë shqiptarë, por plani i shpërnguljes për në Turqi nuk u ndalua.
Genocidi Grek 1944-1945 është genocid i radhës pas genocidit grek mbi shfarosjen e shqiptarëve të Shqipërisë së Jugut në vitet 1914 dhe 1915 e përshkruar nga shqiptari i Amerikës, dëshmitari okular Kosta Papa Tomorri nga Leusa e Përmetit në librin Barbaritë Greke në Shqipëri, botuar në Framingham të Massachusetts, më 1917.
Më 1930, Kryeministri i Greqise Eleftheros Venizellos filloi të rishtronte trasenë e genocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë. Paramithia u klasifikua nga fshat autokton shqiptarësh në një çiflig. Me dhunë shtetërore ju morën tokat e shumta çamëve nga shteti grek duke ju lënë shumë pak tokë në përdorim, përkundër kushtetutës greke dhe ligjit agrar. Shqiptarët e Çamërisë nuk mund të blinin dhe të shisnin tokë. Shteti grek caktoi çmime shumë më të ulta për tokën e shqiptarëve, si dhe zbatuan burgosjen për shqiptarët që nuk paguanin taksën e tokës, për tokën që tashmë u ishte konfiskuar apo tjetërsuar.
Të gjitha këto masa diskriminuese dhe asimiliuese ndaj shqiptarëve të Çamërisë krijuan kushtet për emigrimin e shqiptarëve të Çamërisë në Shqipëri.
Kështu, më 1931 shumë familje çame emigruan në rrethin e Sarandës. Ky emigrim vazhdoi deri më 1933. Në Filat dhe Gumenicë shteti grek i shtrëngoi masat për shpërngulje të shqiptarëve tashmë në Turqi. U bë propagandë e hapur për shpërngulje për t’i larguar çamët në Azi. Vetëm Turqia ndihmoi funanciarisht shpërnguljen e çamëve.
Turqia e largët në distancë ishte më e preferuara për Greqinë si vëndshpërngulje për vetë faktin, se nëse shumica e Çamërisë do shpërngulej në Shqipërinë e Jugut do të ishte një mundësi e madhe për rikthimin e tyre në Çamëri me ndihmën e ndërkombëtarëve.
Në censusin zyrtar të Greqisë më 1920, Greqia regjistroi 35, 959 shqiptarë ortodoksë në Greqinë e Vjetër ku në Epir mungonte gjuha shqipe, kurse më 1928 kemi 17, 009 shqiptarë myslimanë dhe vetëm 95 shqiptarë ortodoksë në Greqinë e Vjetër. Çfarë manipulimi shtetëror i Greqisë!
Çamët myslimanë të prefekturës së re të Thesprotisë në vitet 30 të shekullit të kaluar u quajtën shqipfolës homogjenë, kështu si dhe sot Patriarkana Greke e Stambollit dhe Kisha Greke i quan shqipfolës, shqiptarët e Amerikës që frekuentojnë kishat e Kishës Greke të Amerikës.
Në librin e autores greke Eleftheria Manda me titull “Çamët myslimanë të Epirit” gjendet dokumentacioni sipas të cilit në vitin 1930, në Çamëri, Shqipëria pretendonte se shtetit grek kishte shpronësuar 1 milion e 817 e 233 dynym tokë të 242 familjeve me shtetësi shqiptare.
Autorja greke Mandia shkruan: ”Çamët ortodoksë ishin grekë, kurse çamët myslimanë ishin shqiptarë”…duke shprehur qartazi qëndrimin e fshirjes së kombësisë shqiptare prej shtetit dhe kishës greke kundrejt popullsisë shqiptare të Çamërisë.
Për periudhën e luftës ekzistojnë dëshmi dhe dokumente se në javën e parë të korrikut 1944 ishin bashkë Shtabi i Përgjithshëm i EDES ose Lidhja Kombëtare Republikane Greke, Komanda e divizionit të 10-të dhe Mitropoliti Dhorotheos Naskari i veshur ushtarak që i ishte bashkuar tashmë ushtrisë së Zervës. Vërejmë se në veprimtarinë aktive kriminale që u shënua gjatë gjithë periudhës së pushtimit në Epir, nuk mori pjesë e gjithë popullsia shqipfolëse e Thesprotisë.”
Dëshmi ilustruese dokumentare në gjuhët shqipe, greke dhe angleze është libri i historianit Arben LLalla me titull “Kolaboracionistët Grekë, projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri”.
Me dokumente arkivore, historiani Llalla përshkruan veprimtarinë anti-shqiptare të Mitropolitit të Paramithisë Dhorotheos si një nga klerikët e shquar gjatë fushatës së genocidit Grek ndaj çamëve më 1944-1945.
Ushtria e Napolon Zervës në vitet e genocidit 1944-1945 merrte urdhra për shfarosjen e shqiptarëve të Çamërisë edhe nga kisha autoqefale ortodokse e Greqisë.
Në fillim të nëntorit 1943 Mitropoliti Dorotheos i Paramithisë ishte në zyrat e Komandës Gjermane në Paramithi dhe më pas u bë pjesë e ushtrisë së Zervës, krahu i djathtë i tij. Ai u përfshi në bisedimet e EDES me gjermanët në dhjetor 1943 – tetor 1944. Ai ishte përfaqësues i EDES në marrëveshjen me Gjermanët për tërheqjen nga Korfuzi. Majori Gjerman Shvarc, komandant i garnizonit kishte vendosur këtë shpallje në zyrën e komunës së Paramithisë:
“Mitropoliti i Paramithisë, Dorotheu është përfaqësues i qeverisë Greke dhe në mbrojtje të forcave Gjermane. Çdo atentat kundër tij do të konsiderohet si atentat kundër forcave gjermane dhe do të ndëshkohet rreptësisht.” (Krapsites, Vasil Historia e Paramithisë)
Më 3 Qershor 1944, Mitropoliti Dhorotheos marshonte me EDES në Paramithi e më tej në fshatrat e Çamërisë duke planizuar dhe kryer vrasje çnjerëzore ndër shqiptarë. Ky klerik grek u bë udhërrëfyes i genocidit pasi ai njihte mirë liderët e rezistencës çame, territorin dhe fliste mirë gjuhën shqipe.
Gjithashtu, pranë Zervës ishte prifti Serafeim ose Visarion Tika, ushtar i EDES që kreu masakra mbi shqiptarët e Çamërisë dhe u shpërblye si Mitropolit i Artës më 1949 dhe i Janinës më 1958.
Mitropoliti i Janinës Spiridon Vllahu u shpërblye duke u emëruar si Kryepeshkop i Athinës dhe Greqisë më 1949, katër vjet pas genocidit.
Kisha greke në veprimtarinë e saj disashekullore anti-shqiptare ka tashmë një njollë të zezë edhe për bashkëpunimin e klerikëve të saj me Gjermaninë Naziste për genocid të hapur ndaj Çamërisë ashtu sikundër shteti grek që shfarosi me ndihmën e Gjermanëve dy kombësi në Greqi, hebrenjtë e Greqisë dhe shqiptarët e Çamërisë.
Shteti dhe Kisha greke kanë 80 vjet që nuk e njohin çështjen çame dhe genocidin ndaj Çamërisë.
Asnjë lloj falje nuk ka ardhur nga Kisha Greke, veç kalkulimeve të klasës politike të Tiranës dhe Kryepeshkopin Janullatos të Patrikanës greke. Ndërkohë në Shqipëri dhe në diasporë lobin grek bashkëpunon me politikanë apo klerikë shqiptarë në shërbim të shtetit, kishës Greke dhe Patriarkanës Greke të Stambollit.
Çështja Çame është ende një çështje e pazgjidhur kombëtare në sirtarët e zyrave diplomatike të OKB-së, Bashkimit Europian dhe të SHBA-së.
Le të punojmë së bashku për një seancë dëgjimore në Komisionin Tom Lantos të të Drejtave të Njeriut të Kongresit Amerikan me dëshmitarët e gjallë çamë. Paralelisht le të mbledhim dëshmi të gjalla nga të mbijetuarit dhe familjet çame për t’i arkivuar nē Librarinë e Kongresit Amerikan dhe në universitetet amerikane ku ka studentë shqiptarë dhe mundësisht të nis një kurs me këtë lëndë studimore.