Tiranë, 4 nëntor 2022 – Në Shqipëri, Kisha Katolike bëri të premten një deklaratë të pazakontë, të quajtur “akt denoncimi”, ku i kërkoi “klasës politike” të gjejë mënyrat për të ndalur emigrimin masiv të shqiptarëve, emigrim që, sipas vlerësimit të klerit, shkaktohet nga frika që kanë familjet se mos nuk janë në gjendje t’u garantojnë të ardhme të sigurt fëmijëve të vet.
Deklarata e Konferencës Ipeshkvnore, institucionit përfaqësues të Kishës Katolike në Shqipëri, u lexua nga Angelo Massafra, kryepeshkop i Shkodrës.
“Me anë të këtij AKTI DENONCIMI i drejtohemi mbi të gjitha klasës politike të vendit në mënyrë që ky problem të trajtohet me përparësinë më të madhe,” thuhet në deklaratë.
“Është më tepër se evidente nevoja e ndërmarrjes së politikave të drejta dhe koordinimi i të gjithë faktorëve shoqërorë të vendit, për një dialog i cili sjell zgjidhjet e duhura,” thuhet më tej në deklaratë.
Është e paqartë se çfarë e ka shkaktuar dallgën më të re migratore të shqiptarëve, e cila vjen, në mënyrë të çuditshme, pasi vendi ka tre dekada të tëra që emigron. Por, Kisha Katolike thotë se analiza e situatës prej saj tregon se është mungesa e shpresës për të ardhmen.
“Situata është e qartë në sytë e të gjithëve. Këtë na e konfirmon puna baritore e motrave dhe meshtarëve, si edhe dëgjimi i besimtarëve tanë, të cilët në mënyrë dramatike na rrëfejnë se si familje të tëra preferojnë të emigrojnë prej frikës se nuk mund t’u garantojnë një të ardhme të sigurt fëmijëvë të tyre e se shumë prej tyre kanë humbur shpresën për të jetuar në Shqipëri,” thuhet në deklaratë.
“Në këtë mënyrë kemi një boshatisje totale të strukturave shkollore në zonat rurale (kjo d.m.th. një të ardhme pa të rinj) dhe mungesën e atyre që mund të quhen profesionet më të çmueshme për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë, siç është personeli shëndetësor, arsimor dhe profesione të ndryshme,” vijon më tej deklarata.
Mijëra shqiptarë kanë e kapërcyer kanalin e La Manshit që ndan Francën me Mbretërinë e Bashkuar, duke u bërë temë debati politik në Londër, gjatë muajve të fundit.
Kryeministri Edi Rama nuk ka shprehur ndonjë shqetësim për emigrimin masiv ndërsa në një deklaratë së fundmi, ia vuri fajin historisë, duke e cilësuar Shqipërinë si “viktimë e perandorive” dhe duke vënë në dukje se shqiptarët “nuk kanë pasur kurrë perandori”.
(Reporter.al)