Deçan, 24 shtator 2023 – Dioqeza Rashkë-Prizren tha se dënon ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë. Ajo tha se ky “është një incident i rëndë me implikime potencialisht të gjera”, prandaj bëri thirrje “të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin”.
Dioqeza tha se në oborrin e Manastirit të Banjskës gjenden “persona të maskuar të armatosur” dhe se herë pas here aty dëgjohen edhe të shtëna armësh. Ajo nuk dha më shumë detaje, por praninë e tyre e cilëson si “dhunë flagrante ndaj një objekti fetar të Kishës Ortodokse Serbe”.
“Dioqeza e dënon me ashpërsi dhunën flagrante që po ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe dhe u bën thirrje të gjitha palëve që menjëherë të ndërpresin armiqësitë”, thuhet në deklaratë.
Por, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se sulmt ndaj Polocisës së Kosovës janë kryer nga 30 persona të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur me mjete të blinduara dhe me armë të rënda të llojeve të ndryshme. Ai tha se “burimi” i sulmeve është Manastiri i Banjskës.
“Burimi i sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit dhe përreth. Njësitë tona policore janë aktivizuar në terren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë”, tha Sveçla.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të dielën, herët në mëngjes, në sulmet armatosura ndaj tyre në afërsi të fshatit Banjskë, në rrugën Mitrovicë – Leposaviq. Policia njoftoi se pjesëtarët e saj janë sulmuar me armë të rënda nga disa pozicione, nga persona të maskuar.
Sulmi ishte organizuar mirë nga sulmuesit, të cilët paraprakisht e kishin bllokuar rrugën me dy kamionë.
Deklarata e plotë:
DEKLARATE URGJENTE E KISHËS #ORTODOKSE #SERBE (KOS) lidhur me incidentin e fundit të armatosur në veri të Kosovës
Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) e dënon ashpër sulmin që ndodhi mëngjesin e sotëm në afërsi të fshatit Banjskë, në veri të Kosovës, ku raportohet se mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë.
Ky është një incident i rëndë me implikime potencialisht të gjera. Prandaj, është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin.
Dioqeza i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së oficerit të ndjerë dhe uron sinqerisht shërimin e shpejtë të të lënduarve.
Dioqeza është thellësisht e shqetësuar pasi, sipas raporteve të fundit, një grup i armatosur me maska demoloi portat e manastirit, duke përdorur një automjet të blinduar.
Aktualisht, një grup besdimtarësh nga Novi Sadi, përfshirë igumenin Danilo dhe vëllezërit e manastirit, gjenden brenda. Për sigurinë e tyre, komuniteti i manastirit dhe besimtarët janë mbyllur brenda banesës dhe është e siguruar kisha e manastirit. Individë të armatosur dhe të maskuar raportohet se po lëvizin nëpër ambiente dhe herë pas here po dëgjohen të shtëna me armë zjarri.
Dioqeza e dënon me ashpërsi dhunën flagrante që po ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe dhe u bën thirrje të gjitha palëve që menjëherë të ndërpresin armiqësitë.
URGENT STATEMENT OF THE #SERBIAN #ORTHODOX #CHURCH (SOC) regarding the latest armed incident in North #Kosovohttps://t.co/9jL5wgpuFg
— Dečani Monastery (@DecaniMonastery) September 24, 2023
The Raška-Prizren Diocese (SOC) vehemently condemns the attack that took place this morning in northern Kosovo near the village of Banjska,… pic.twitter.com/GQN8bDeFTG
(r.m.)