Kisha Ortodokse Serbe nuk e lejon vizitën e Kurtit në Manastirin e Deçanit

Prishtinë, 27 maj 2021 -Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i padëshirueshëm në Manastirin e Deçanit.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, nën juridiksionin e së cilës është Manastiri i Deçanit, e ka cilësuar “krejtësisht të pakuptimtë” që t’i përgjigjet letrës së kryeministrit Kurti dërguar abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, në të cilën ka shprehur dëshirën ta vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin Janjiq.

Arsyeja e refuzimit, siç thuhet në një komunikatën e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, është mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronën e Manastirit të Deçanit.

“Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit mbetet pranë qëndrimit të saj, të deklaruar në mënyrë të qartë më parë, se nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë një minimum të vullnetit të mirë për të respektuar të drejtat fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguara që të përmbushin plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për njohjen e pronës së manastirit”, thuhet në komunikatën e dioqezës.

“Ky vendim tash e pesë vjet është duke u injoruar me këmbëngulje, pavarësisht kërkesave për zbatimin e tij nga ana manastirit dhe institucioneve ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Hajrulla Çeku, më 26 maj, ka thënë se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti të kishave ortodokse”.

“Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ministri Çeku, në profilin e tij në Facebook, ku ka postuar letrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dërguar abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, më 20 maj.

Në atë letër, përveç tjerash, thuhet që Qeveria e Kosovës do të kujdeset “për të gjitha monumentet tona (të kulturës), e në veçanti për kishat dhe manastiret ortodokse”.

Kryeministri Kurti ka shprehur dëshirën që ta vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin e manastirit, Sava Janjiq. Ai ka theksuar se “vetëm me komunikim të sinqertë mund të arrihet te mirëkuptimi, zgjidhja e sfidave dhe largimi i paragjykimeve”.

(r.m.)