Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka reaguar pas postimi të një lajmi se gjoja janë gjetur eshtrat e veprimtarit Ukshin Hoti.
“Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) është në dijeni të një artikulli që e ka publikuar portali i lajmeve Albanian Post më 27 shtator 2021, i cili përmban informata të pasakta që i atribuohen një burimi të pa emër nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq lidhur me eshtrat e profesorit Ukshin Hoti”.
Kryqi i Kuq thotë se ky raportim i pasaktë ka shkaktuar shqetësim te familjarët e personit të apostrofuar.
“KNKK-ja dëshiron të theksojë fuqishëm se ky raportim është krejtësisht i pasaktë dhe nuk bazohet në asnjë informatë të marrë nga KNKK-ja. Për më tepër, KNKK-ja bashkëndjen fuqishëm me familjarët e profesorit Hoti, në të cilët ky artikull ka pasur ndikim të keq emocional. Raportimi i pasaktë vetëm ua shton shqetësimin familjarëve të personave të zhdukur”.
Kryqi i Kuq njofton se familjet e personave të zhdukur lajmet për identifikimin e tyre ua kumton vetëm Qeveria.
“KNKK-ja ka punuar në emër të familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë qe më shumë se 20 vjet, por përgjegjësia për t’i informuar familjarët për identifikimin e të dashurve të tyre u takon vetëm autoriteteve përkatëse qeveritare që merren me çështjen e personave të zhdukur. Si rregull, emrat e të identifikuarve nuk u jepen mediave. Është në diskrecion të familjarëve që ta bëjnë këtë, nëse duan”.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se raportimi i rrejshëm pengon përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Për hir të familjarëve të personave të zhdukur, të cilët edhe ashtu kanë jetuar në dhimbje dhe ankth kaq gjatë, KNKK-ja dëshiron ta shfrytëzojë këtë rast që t’i lavdërojë të gjithë gazetarët dhe mediat që raportojnë për këtë çështje me ndjesi dhe saktësi dhe që nuk duan ta rëndojnë më tej barrën që familjarët e personave të zhdukur e kanë bartur mbi supet e tyre qe një kohë të gjatë. Raportimi i pasaktë, edhe nëse është i paqëllimshëm, i pengon përpjekjet e të gjithë aktorëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë për ta zbardhur fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur”, thuhen në fun të njoftimit.RTK