KLGJ dhe KLP: Ndaloni sulmet e presionet ndaj gjyqtarëve e prokurorëve

Tiranë, 123 shkurt 2025 – Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë Prokurorial (KLP) kanë reaguar ndaj sulmeve publike të autoriteteve shtetërore e politike ndaj prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçmë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).

Reagimi i organeve drejtuese të sistemit të drejtësisë erdhi pas sulmeve publike të Kryeministrit Edi Rama lidhur me arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili akuzohet për korrupsion, dhe të kryetarit të Partisë Demokratiker, Sali Berisha.

KLGJ thekson se “çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Edhe KLGJ, duke shprehur shqetësimin për sulmet publike ndaj prokurorëve bën thirrje për respektimin e pavarësisë dhe integritetit profesional i prokurorëve, në mënyrë që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme.

“Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent”, thekson KLP.

Kryeministri Edi Rama doli publikisht kundër vendimit të SPAK-ut për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ai pretendon se prokurorët e SPAK-ut i kanë shkelur “standardet” gjatë hetimeve dhe gjatë marrjes në pyetje të personave të përfshirë në dosjen “Veliaj”.

Ndërkaq, kreu i opozitës Sali Berisha, e cilësoi SPAK-un “organizatë kriminale” dhe paralajmëroi se opozita, kur të vijë në pushtet, do të bëjë ndryshime në sistemin e drejtësisë.

“Ne kemi filluar njëfarë pune me ekspertë shumë të shquar europianë, që të bëjnë një lloj vëzhgimi të kësaj dhe të gjejmë rrugë sepse populli do zgjidhje, një shtet do zgjidhje. Nuk mund të rrijë Shqipëria pa proces civil, pa proces penal”, tha ai.

 

Deklarata e plotë e KLGJ:

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cënojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit.

Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë.

 

Deklarata e plotë e KLP-së:

 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni i ngarkuar nga Kushtetuta me detyrën për të garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Këshilli Lartë i Prokurorisë ka detyrimin ligjor sipas nenit 185 te ligjit 115/2016 të mbajë qëndrim publik… “në mbrojtje të prokurorëve të veçantë kur gjykon se të drejtat e tyre njerëzore rrezikohen të shkelen për shkak të kryerjes së detyrës ose se kryerja e funksioneve të tyre ligjore po rrezikohet ose mund të rrezikohet si rezultat i veprimeve ose qëndrimeve të çdo subjekti publik ose privat”.

Në ushtrim të kësaj detyre, Këshilli ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me veprimet procedurale të ndërmarra nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK).

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.

Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të prokurorëve të sipër përmendur dhe të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përfiton nga rasti të shprehë konsideratën e lartë për prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për misionin që kanë marrë angazhim të kryejnë, por edhe si personalitete me integritet të lartë. Rezultatet e punës së kësaj strukture, aktualisht janë vlerësuar pozitivisht nga të gjithë aktorët në vend, duke bërë të mundur rritjen e besimit të publikut tek drejtësia, pritshmëri kjo e reformës në drejtësi e ndërmarrë dhe miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në dakordësi të plotë.

Së fundmi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë.

(r.m.)

Comment

*