Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kërkoi të mërkurën rritje fondesh për vitin 2023, ndërsa u ankua se qeveria, me akt normativ, ia kishte marrë 90 milionë lekë nga buxheti i këtij viti, duke e lënë në pamundësi për të përballuar shpenzimet korrente.
Blerina Gjoka, BIRN
Kreu i KLP-së Alfred Balla kërkoi që Kuvendi të miratojë strukturën e re me 78 punonjës nga 65 që ka aktualisht ky institucion, ndërsa u ankua për ndërprerjen e njëanshme të buxhetit nga qeveria.
“90 milionë lekë na i ka marrë Ministria e Financave duke na prekur nevoja bazike”- tha ai duke iu referuar ndryshimit të buxhetit nga qeveria në mars të këtij viti.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Emis Çërava, shtoi se “kjo bëri që sot të mos kemi para as për utilitete si ujë, energji elektrike”.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Vilma Çausholli, tha se reduktimet e buxhetit janë bërë në bazë të treguesve të realizimit dhe se për vitin 2022 është realizuar vetëm 75 për qind e planit. “Fondi i mbetur në dispozicion është i mjaftueshëm”- tha ajo.
Çausholli këmbënguli se qeveria i ka rritur fondin për vitin që vjen KLP nga 119 milionë në 127 milionë, rritje që sipas Ballës shkon vetëm për indeksim pagash dhe jo për nevojat që ka institucioni për punonjës shtesë.
Opozita e quajti shqetësuesi ndërprerjen e buxhetit në mes të vitit nga ana e qeverisë. Deputeti Gazment Bardhi i kërkoi komisionit që të miratonte kërkesat për buxhet të institucioneve të drejtësisë për aq kohë sa reforma në drejtësi është prioritet i vendit. “Pse nuk hiqni ca shpenzime luksi të qeverisë për nevoja të krizës, por ndërprisni buxhetin e këtyre institucioneve?”- pyeti ai përfaqësuesen e ministrisë.
Kryetarja e Komisionit sugjeroi që në një seancë tjetër të vendosej për buxhetin pas KLP dhe Ministria dhe relatori i komisionit të diskutonin e të shihin mundësitë për plotësimin e kërkesave.
Në seancat dëgjimore për buxhetin e ri edhe kreu i Strukturës së Posaçme kundër Kurrrupsionit, Arben Kraja u ankua për ndërprerje me akt normativ nga qeveria të financimeve të paracaktuara në buxhet duke e konsideruar këtë veprim si kufizim të pavarësisë së SPAK-ut.