Skema e pensioneve mund të rrezikohet seriozisht në vitet që vijnë si pasojë e mosarkëtimit të detyrimeve për kontributet nga sektori i tatimeve. Situata alarmante me mungesën e 16.6 miliardë lekëve është konstatuar nga një auditim I KLSH I cili ka zbuluar se sektorët më problematikë në mbledhjen e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve janë Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, Vlorë dhe Durrës.
16.5 miliard lekë është fondi i munguar në Drejtorinë e Tatimeve nga mosarkëtimi i të ardhurave nga kontributet. Kjo situatë rrezikon të punësuarit e sotëm të cilët në të ardhmen mund të mbeten pa pension. Ky një nga përfundimet në të cilat ka dalë Kontrolli i Lartë të Shtetit gjatë auditimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për vitin 2020.
Sektorët më problematikë në mbledhjen e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, Vlorë dhe Durrës, raporton Ora News.
Për këtë situatë KLSH ka kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve të analizojë shkaqet të cilat kanë ndikuar në mosrealizimin e të ardhurave.
Në dokumentin zyrtar KLSH thekson se është konstatuar një gjendje detyrimesh të papaguara prej 122.4 miliard lekësh, ndërsa mësohet se ky stok është rritur me 5.4 miliard lekë vetëm gjatë vitit 2020.
Një tjetër problematikë lidhet me mosrespektimin e afateve kohore për rimbursimin e TVSH-së ndaj bizneseve, të cilat kapin një shumë totale prej rreth 2 miliardë lekësh.
Raporti bën me dije gjithashtu se gjatë vitit 2020 nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë likuiduar shpenzime për zbatimin e vendimeve gjyqësore për ish-punonjës të larguar nga puna në mënyrë të pa drejtë, në vlerën 377 milionë lekëve për 198 punonjës, raporton Ora News.
Krahasuar me vitin 2019 vlera e shpenzuar është 140 milionë lekë më shumë.
Detyrimi i ngelur për tatimet për zbatimin e vendimeve gjyqësore për punonjësit e larguar nga puna është në vlerën 184 milionë lekëve për 168 punonjës.
Auditimi ka gjetur edhe një investim me vlerë 80 milion lekë, ndërkohë që në arkë nuk kishte para të mjaftueshme për përfundimin e tij.
Një tjetër gjetje e KLSH lidhet me parregullsitë në plotësimin e vendeve vakante sipas strukturës së miratuar, raporton Ora News.