Kryeministri Edi Rama e quan “barbari” vrasjen e protestuesve Aleks Nika, Zevir Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj
Knid Ndrenika
Kryeministri Edi Rama me një fotografi karafilash kujtoi siç shkruan, me nderim katër personat që humbën jetën 11 vjet më parë në protestën e e dhunshme të opozitës socialiste të kohës më 21 Janar 2011.
Zoti Rama, i cili në janar 2011 ishte kryetar i bashkisë së Tiranës dhe kryetar njëherit i Partisë Socialiste, shkruan në rrjetet shoqërorë se ka ndjesi dhe bindje që drejtësia vonon po nuk harron.
Ai e quan “barbari” vrasjen e protestuesve Aleks Nika, Zevir Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
“MIRËMËNGJES dhe me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi🙏”,- postoi komentin zoti Rama.
Në protestën e dhunshme të socialistëve opozitarë kundër qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha, u vranë me nga Garda e Republikës të katër protestuesit Veizi nga Gjirokastra, Nika nga Lezha, Deda nga Dibra dhe Myrtaj nga Fieri.
Protesta mori shkas nga publikimi një videoje ku ish-ministri dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta dëgjohej dhe shihej teksa bisedonte me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti (i vdekur), për një ryshfet të dyshuar me normë 7 për qind fitimi të një çështjeje.
Zoti Meta dha dorëheqjen ndërkohë që më pas gjykata dënoi me vendime të kontestuara nga opozita efektivët e Gardës së Republikës, përfshi komandantin Ndrea Prendi.
Nga të katër viktimat vetëm për Aleks Nikën nuk ka zbardhje të plotë të ngjarjes dhe qartësi të plumbave që i shkaktuan vdekjen.
Opozita socialiste sulmoi ndërtesën e qeverisë përfshi përpjekjen për hyrjen me dhunë me një automjet në derën anësore.
Zoti Berisha tha se nuk do ta lëshonte objektin dhe se do të qëndronte në detyrë pavarësisht pasojave, përfshi me jetë.
Në 2013, zoti Meta sot president dhe asokohe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kryetari socialist Edi Rama u bashkuan në zgjedhje dhe morën pushtetin duke qeverisur bashkarisht deri në vitin 2017.