PS sipas kryeministrit Edi Rama, i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur presidentin, ose siç e artikuloi “të gjithë përgjegjësinë për cilësinë e kandidaturës”
Knid Ndrenika
Kryeministri Edi Rama e quajti Ilir Metën presidentin “më skandaloz” të Shqipërisë kur u foli deputetëve të tij socialistë në mbledhjen që është duke vazhduar në selinë e Kryesisë së Kuvendit.
Grupi i deputetëve të PS-së u mblodh për të hapur procedurën e përzgjedhjes së kandidaturës për Presidentin e ri të Republikës pasi zotit Meta i përfundon mandati më 24 korrik 2022.
Sipas zotit Rama, duhet të zgjidhet një figurë që do të luajë për 5 vitet e ardhshme rolin e kreut të shteti, të rezatojë normalitet dhe të garantojë integritet mes institucionit të Presidentit të Republikës, aleatëve strategjikë dhe partnerëve.
“Që, të sigurojë gjithashtu një nivel profesionalizmi në adresimin e gjithë çështjeve që lidhen me Presidentin. Të përçojë një frymë përbashkuese për të gjithë qytetarët, përtej bindjeve politike dhe këtu sfida vështirësohet dhe përzgjedhja është shumë më e ngushte se çdo të ishte në sy të parë përzgjedhja e një pasuesi të presidentit më skandaloz që ka njohur historia e atij institucioni”-tha ai.
Socialistët kanë kërkuar nga secili prej 74 deputetëve që kanë nga tre kandidatura për presidentin e ri dhe që do të shqyrtohen nga kryetari i grupit Taulant Balla, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali dhe Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri.
PS sipas kryeministrit, i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur presidentin, ose siç e artikuloi “të gjithë përgjegjësinë për cilësinë e kandidaturës”.
“Në pamje të parë kjo duket një sfidë e lehtë, po të kemi parasysh se thuajse çdo kandidaturë, e cila do të plotësonte disa kritere elementare, si njohjen e gjuhës, vetëpërmbajtjen në raport me ligjin dhe kushtetutën do të ishte më e mirë se sa Presidenti aktual. Nga ana tjetër ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin, për ambicien dhe profilin e PS është se nuk mjafton thjesht të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë vend se sa Ilir Meta, gjë që do ta përmbushnin si kriter 90% e shqiptarëve”-tha zoti Rama.
Sipas Kushtetutës, propozimi për presidentin duhet të ketë firmat e 20 deputetëve, të cilët nuk mund të paraqiten për më shumë se një kandidat.