KM Rama paralajmëron kryebashkiakët e ministrat: Mos abuzoni me qytetarët!

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjithë kryebashkiakët, madje edhe ministrat, se do të sanksionohen financiarisht dhe do të shkohet deri në shkarkimin e tyre nga detyra, nëse abuzojnë me qytetarët.

Nga Shkodra, ku zhvilloi një takim me qytetarët për “Bashkëqeverisja si Ligj i Ri”, kryeministri Rama u shpreh prerë se “Kryetarët e bashkive, deri te ministrat, do të sanksionohen financiarisht, nëse nuk iu përgjigjen qytetarëve, për rastet kur këta të fundit kanë të drejtë. Sanksionet do të jenë deri në majë dhe më pas kalohet në fazën e shkarkimit fare!”

Më tej, kreu i qeverisë theksoi se ëndrra e tij në këtë mandat është që të mbyllë sportelet e hipotekave dhe të fusë teknologjinë e fundit, ku të mos ketë më shans asnjë njeri të ndërhyjë te letrat e pronave.

“Ëndrra ime është që brenda këtij mandati hipoteka të të vijë për një minutë në telefon dhe mos kesh mundësi që të përplasesh për pronën tënde. Te hipoteka do të fusim teknologjinë më të fundit, që është teknologji e sigurisë super të lartë, ku nuk do të ketë më shans njeri të ndërhyjë në letra. Do të mobilizojmë qindra e qindra njerëz, që do të hyjnë për t’u marrë me përshpejtimin e procesit”, deklaroi kryeministri.

 

 

(BalkanWeb)