Në tetor 2021 kryeministri paralajmëroi se mars dhe në qershor të këtij viti Shqipëria do të lëshonte në hapësirë dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”
Knid Ndrenika
Kryeministri Edi Rama tha se nuk është faji i tij për mospërmbushjen e premtimit për afatin e paralajmëruar për lëshimin në hapësirë të dy satelitëve të Shqipërisë.
Satelitët do të lëshohenin për kontroll mbi territorin, trafiqet dhe kufijtë që sipas zotit Rama do të kalonin në nivelin e teknologjisë për të hequr “duart e atyre që kontrollojnë me sy”.
Në një përballje në rrjetet shoqërorë me kritikët që i kujtojnë këtë vonesë, zoti Rama shkruan se duhet durim.
Ai i shigjetoi kritikët duke shkruajtur se “padurim të madh paskan pasur disa për satelitët e sipas modës së re thonë ç’të duan pa pyetur fare more si është puna”.
“Po një gjë çuditem si nuk duan ta kuptojnë: Unë them atë që bën e bëj atë që them dhe kur vonesat s’janë në dorën time thjesht bëj durim,po zotimit s’i ndahem jo”-tha ai.
Në tetor 2021 kryeministri paralajmëroi se mars dhe në qershor të këtij viti Shqipëria do të lëshonte në hapësirë dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”.
“Po të them, që dronët po e po, por edhe satelitët, në mënyrë që kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet, mbi kufijtë, kontrolli mbi shumë çka të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy, që me thënë të drejtën, kur vjen puna te inspektorët, janë me virus edhe ata që kishit ju, edhe këta që kemi pasur ne. Sa më shumë t’jua heqim atyre kontrollin e jetës dhe bizneseve aq më mirë të jetë. Prandaj, sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell e do të kontrollojmë nga qielli. Ju qeshni, sepse të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot jeni në kushtet, kur qeshni, sepse nuk qani dot”, – iu drejtua kryeministri opozitës në një seancë plenare të Kuvendit.