Tiranë, 15 prill 2023 – Koalicioni “Bashkë Fitojmë” çeli sot fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë. Siparin e fushatës e hapi kandidati i këtij koalicioni për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi. Ai paraqiti prioritetet e tij për Tiranën dhe kërkoi votën e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit.
“Ju drejtohem nga kjo arenë, kudo ku të banoni në territorin e bashkisë sonë, do jeni të barabartë. Do ndërtojmë kopshte dhe çerdhe. Qendrat do të vijnë te ju, atje ku s’ka arsim, do të jetë shkolla. Të gjitha premtimet tona janë të realizueshme. Ju prindër në Astir nuk do të nxitoni më për të çuar fëmijët tuaj në shkolla.Shërbimet e Bashkisë së Tiranës do të vijnë te ju. Atje ku ka shkollë ne do të çojmë rrugë. Ky do të jetë misioni i ri i policisë bashkiake e cila nuk do të ketë më mision gjobëvënien. Do të gjeni gjithmonë një derë ku do ju shërbehet. Këtë ofroj unë. Zgjidhje dhe besnikëri“, u shpreh Këlliçi.
“Jam i pari që besoj në premtimet që kam dhënë sepse janë të gjitha të arritshme. 200 mijë qytetarët që udhëtojnë me urban edhe për një muaj nuk do të paguajnë më. Uji është problemi më i madh qenkemi në shtëpitë tona. Çmimi është rritur dhe uji nuk plotëson kushtet për konsum”, shtoi ai.
Këlliçi paraqiti edhe vizionin e tij për bizneset.
“Kam edhe një pyetje për biznesin të vogël e të mesëm, pse mendoni që politikat e bashkisë janë armiqësorë ndaj jush? Sepse jeni shtresa e mesme e qytetit dhe më të pakontrollueshëm. Dua të bëj një pakt me ju. Pas 14 majit do përballeni me një klimë miqësore që do t’ju ndihmojë të ngriheni. Unë nuk do të lejoj më në Tiranë të ketë diferencime”, u shpreh ai.
Po ashtu, premtoi shërbime publike më të mira.
”Kudo të banoni, ju do të jeni të barabartë në shërbime dhe investime. Policia bashkiake nuk do të ketë më mision gjobitjen e qytetarëve. Do të gjeni hapur një derë ku të trokisni çdo herë që keni një problem.Më 14 maj Tirana ka një zgjedhje për të bërë, dhe ajo fillon nga duart tuaja”, tha Këlliçi.
Berisha: Votoni për ndryshimin
Ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të votojnë “për ndryshimin“. Ai u bëri thirrje sidomos emigrantëve që të votojnë në Shqipëri më 14 maj dhe të votojnë për koalicionin “Bashkë fitojmë“.
“Sot ju bëj thirrje, votoni ndryshim. Qëllimi ynë më madhor do të jetë antarësimi në BE. Kjo betejë që bëjmë për Shqipërinë, është më e rëndësishmja e jetës sonë. Shqipëria vend i zhvilluar dhe aleat i besuar i SHBA-ve. Kur njeriu ka fatin e madh të bëhet gjysh, gjithë të rinjtë i sheh si nipërit e mbesat e tij. Problemi numër 1 që do të zgjidhet urgjentisht është lufta totale kundër varfërisë, sepse ajo është burimi i të gjitha të këqijave, duke nisur nga krimi e shpopullimi”,u shpreh Berisha.
“Misioni ynë do të jetë që shqiptarët të jetojnë si europian. Kjo do të thotë që pagat e shqiptarëve të jenë 3-fishi i atyre që janë sot. Të jenë më të lartat në rajon. Si do arrihet kjo? Duke zhdukur faturat e vjedhjeve të rilindjes. Duke kthyer pasuritë e shqiptarëve nga mallkim, në bekim për ta. Asnjë vend tjetër nuk duhet të ketë rroga dhe pensione më të larta në rajon se Shqipëria. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Këto objektiva do të jenë gjëlpëra për të qepur plagën e hapur të shpopullimit. Unë besoj se Shqipërinë e shpëtojmë duke dhënë secili nga pakë dashuri. Një vend që ka 10 vite që keqtrajtohet, shërohet vetëm me dashuri”, tha ajo.
“Dashurinë më të sinqertë nënës mund t’ja japin vetëm bijtë e bijat e saj. Unë besoj në një Shqipëri që drejtohet nga njerëz model dhe nga qytetarë të barabartë para ligjit. Unë besoj në një shqipëri që i krijon kushtet shqiptarëve që të jetojnë në vendin e tyre. Unë besoj në një qeveri të vogël e të përulur para shqiptarëve që i trajton ata me ndershmëri e jo arrogancë. Besoj se ka ardhur koha për këtë Shqipëri dhe të ndahemi nga e keqja dhe të lëmë pas Shqipërinë e krimit, drogës dhe vjedhjeve. Të sigurtë të jeni se po realizuam këto, Europa do të na hapë dyert njëlloj siç bëri NATO. Europa do vepra dhe ne demokratët e kemi provuar se kemi vepra e dimë të flasim me vepra gjuhën e saj të bukur. Në 14 maj në njërin krah qëndron e vjetra, në anën tjetër qëndron e ardhmja”, tha më tutje ai.
Berisha e cilësoi kryeministrin Edi Rama “armik” të votës së lirë.
“T’i japim një shans Shqipërisë, është thirrja e saj. Kam një thirrje për të gjithë emigracionin dhe diasporën dhe për 83 % të shqiptarëve që kërkojnë të largohen. Votoni ndryshimin në 14 maj. Edi Rama është një armik i votës suaj. Vërshoni nga të katër anët e dheut dhe ejani në Shqipëri të votoni ndryshimin”, thekoi Berisha.
Meta: Koha për revolucion me votë
Kreu i PL, Ilir Meta, tha se tani ë shtë “koha e revolucionit me votë” që, siç u shpreh, “do të sjellë transparencë absolute, llogaridhënie absolute”.
“Është koha për revolucion. Po çfarë revolucioni? Për revolucionin me votë. Po çdo të sjellë ky revolucion me votë? Do të sjellë përmbysje, do të sjellë përmbysjen e korrupsionit absolut dhe do të sjellë njëherë e përgjithmonë transparencë absolute, llogaridhënie absolute, për çdo kryebashkiak që do të zgjidhet dhe për këshillat bashkiake që do të mbrojnë interesin e qytetarëve”, theksoi Meta.
“Është koha të vrapojmë. Edhe 29 ditë për t’i dhënë fund monizmit absolut në pushtetin vendor. Shpesh pyes veten, më në fund, pas 4 vitesh, do të shkallmojmë pikërisht atë që askush nuk e mendonte dhe imagjinonte ndonjëherë në Shqipëri – që ky vend anëtar i NATO-s, që ky vend 100% pro europian të jetë një vend ku në mënyrë të paligjshme, një klikë kontrollon në mënyrë absolute të gjithë pushtetin vendor, jo vetëm me kryebashkiakët, por edhe me të gjithë këshilltarët. Asnjë këshilltar opozitar në 4 vjet në Shqipëri. Dhe ne e dimë shumë mirë se pushteti absolut do të thotë korrupsion absolut, ashtu siç është e gjithë Rilindja në pushtetin vendor dhe jo vetëm. Ndaj nuk është koha për ndryshim, sepse koha e ndryshimit ka kaluar me kohë”, tha më tutje Meta.
(r.m.)
Kush duhet të jetë kryetar i Bashkisë në Tiranë?
- Belind Këlliçi, Bashkë Fitojmë (67%)
- Roland Bejko, PD (17%)
- Erion Veliaj, PS (8%)
- Arlind Qori, Lëvizja BASHKË (8%)