Kodheli: NATO-ja nuk e vendos mbrojtjen raketore në Shqipëri (zë)

Intervistë e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 1)

Bisedoi: Denion Ndrenika

-Zonja ministre, tungjatjeta dhe faleminderit për kohën që gjetët për gazetën “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është kënaqësi që bisedojmë përsëri.

-Mimi Kodheli: “Kënaqësia është e imja, sepse nëpërmjet jush mund të lidhem me shqiptarët kudo që janë dhe kjo është një gjë shumë e këndëshme sa herë që ndodh”.

-Zonjë, Asambleja Parlamentare e NATO-s në fundmajin e këtij viti në Tiranë, përveç se ishte një veprimtari jashtëzakonisht e suksesshme për nivelin e Shqipërisë, përcaktoi edhe disa vendime që theksonin edhe rrezikshmërinë që vjen nga kufijtë jugorë dhe lindorë. Padyshim që çështja kryesore mbetet Rusia, si një fuqi e vjetër. A është Shqipëria e përgatitur për t’u përballur me shqetësimet serioze, pasi kufijtë nuk janë ata të shtetit tonë politik të Konferencës së Londrës, por janë tanimë në Këniksburg (Königsburg, rajon etnik gjerman në detin Balltik i pushtuar nga ish-Bashkimi Sovjetik. v.j.), pra në Kaliningrad, në vendet Baltike, në kufijtë e sotëm të Aleancës.

-Mimi Kodheli: “Është interesante dhe e bukur kjo që thoni, që kufijtë e Shqipërisë janë kufijtë e NATO-s, sepse kështu është në fakt jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë vendet anëtare të NATO-s.
Në fakt NATO-ja është një organizatë politiko-ushtarake që ka një moto “që të “28-të për një dhe një për “28-të”.
Dhe, kjo aq sa e bën të mundur këtë zgjerim të kufijve shqiptarë deri në kufijtë ekstremë të NATO-s, aq na bën ne më të sigurtë në punën që bëjmë, në bashkërendim, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë.
Shqipëria ka disa detyra, ka disa angazhime të marra dhe këto i ka realizuar me sukses këto vitet e fundit.
Ka realizuar me sukses edhe detyrimet e NATO-s të viteve të mëpërparshme, por sot kemi një armë më të fuqishme, me të cilën ne besoj që jemi krenarë dhe duhet të vazhdojmë të mbetemi të tillë.
Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm, duke u modernizuar, duke përdorur tashmë prej pothuajse dy vjetësh armatim dhe municion të standardeve NATO-s, ka rritur nivelin e trajnimit, ka rritur nivelin e shkollimit dhe për pasojë nivelin e gatishmërisë dhe angazhimit.
Dhe, kjo e vendos Shqipërinë jo vetëm në piedestalin e atyre vendeve që i kanë plotësuar suksesshëm detyrimet e tyre, por edhe në një vend nderi, sepse Shqipëria është edhe politikisht jo vetëm ushtarakisht, një faktor stabiliteti në rajon dhe më shumë se kaq”.

-Zonja ministre, mbetet Shqipëria një mundësi për vendosjen ose për diskutimin e vendosjes së mbrojtjes raketore, meqë në Republikën Çeke dhe në Poloni u shty për shkak të rrethanave të krijuara pas vitit 2008 dhe po ashtu pas ndërhyrjes që pati Rusia në Abkahzi, Oseti, Ukrainë. Pra të gjitha këto zhvillime e shtynë. A është pra Shqipëria përveç mundësisë së Rumanisë, për të qenë një vend?

-Mimi Kodheli: “E dyshoj për një fakt shumë të thjeshtë. Këto janë vende kufitare të NATO-s me një fuqi ushtarake të qenësishme siç është ajo e Federatës Ruse. Edhe Turqia disponon një sistem të tillë, sepse edhe kufijtë turq janë kufij fundorë të kufijve jugorë të NATO-s.
Pra, Shqipëria për shkak të pozicionit të vet gjeografik, nuk e shikon të mundshme ashtu si edhe aleatët nuk e shikojnë të mundshme këtë gjë, sepse do të ishte një harxhim i panevojshëm.
Shqipëria është brenda le të themi familjes së madhe gjeografikisht në të folur, të pozicionuar brenda familjes, në qendër të saj. Kështu që ka angazhime të tjera, jo domosdoshmërisht këto, për të cilat ju pyesni”.

-Duke qenë ministre e një vendi anëtar të NATO-s, çfarë mund të kuptojmë, përse i zhvendos Aleanca Veriatlantike pas një kohe të gjatë brigadat e blinduara në kufijtë lindorë?

-Mimi Kodheli: “Është parë si një rrezik eminent. Është vlerësuar dhe ky vlerësim vjen sigurisht nga informacionet që merren, nga zhvillimet politike, të politikës botërore. Sigurisht vjen edhe nga kërcënimet që vijnë në këta kufij.
Rusia e ka vërtetuar në më shumë se sa një rast që mund të invadojë, të hyjë në një territor tjetër të një vendi të pavarur.
Këtë e ka bërë ashtu si edhe ju e përmendët me Gjeorgjinë, këtë e ka bërë Ukrainën, duke aneksuar Krimenë.
Ndaj dhe nevoja për të pasur, le të themi një përforcim të kësaj trupe të ndërhyrjes së shpejtë në zhargonin ushtarak e quajtur “VJTF”, është menduar dhe është vlerësuar si një domosdoshmëri për të qëndruar të gatshëm në kufijtë lindorë të NATO-s”.

(vijon)