Kodi i gjuhës është ADN-ja e një kombi

Prof. Dr Skender ASANI

Këtë vit e shpallëm vitin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, me ngjarje e aktivitete që do të organizohen në qendrat tona albanologjike, si shprehje e vullnetit dhe aspiratës për një integrim më të madh brendakombëtar. Kjo është një frymë të cilën ITSHKSH fuqishëm po e promovon, duke dëshmuar përcaktimin e qartë për një kurs civilizues tërësisht evropianizues

 

Gjuha e një kombi është dimensioni më koheziv, si në planin kulturor, ashtu edhe në atë politik. Jo rrallë gjuhës i atribuohen edhe epitete figurative për të dëshmuar fuqinë e saj. “Gjuha si armë”, “gjuha e  diplomacisë”, “gjuha  e forcës”, “gjuha e trupit “, të gjitha këto janë sintagma që shprehin magjinë e padukshme të gjuhës. Magjinë e asaj që nuk e shohim, por e ndjejmë, që nuk e prekim, por e përjetojmë.

Nëse e vështrojmë në planin socio-lunguistik e etno-psikologjik, gjuha është palca që identifikon tërësinë përbashkuese të vlerave identitare të një kombi. Kështu ka ndodhur edhe me kombin shqiptar. Zhvillimi  socio-kulturor në etapa të ndryshme historike, i ka dhënë mundësi kombit shqiptar të mbijetojë pikërisht në bazë të gjuhës si një mjet i fuqishëm i përcaktimit identitar.

Një gjuhë quhet e zhvilluar vetëm atëherë kur ajo dëshmon lashtësinë e shkrimit dhe sensin e përsosjes në trajtat e ndryshme të komunikimit. Gjuha shqipe konsiderohet si një ndër gjuhët më të vjetra, por me një histori më të vonshme shkrimi. Kjo ka ndikuar që në bërthamën e formimit të gjuhës shqipe të ngjizen edhe trajtat e përafërta të gjuhëve fqinje të cilat  kishin një traditë më të pasur shkrimi. Por, gjuha shqipe sërish ngeli një pasuri kolosale e kombit shqiptar dhe forca më argumentuese e ekzistimit të këtij kombi. Historikisht, lufta për gjuhën shqipe është zhvilluar nga atdhetarët e devotshëm, të cilët vetëdijen e tyre kombëtare e kishin ngushtë të lidhur me vetëdijen gjuhësore. Kjo luftë i parapriu të gjitha luftërave të tjera, siç ndodhi, bie fjala, edhe me Kongresin e Manastirit (1908), i cili ishte një ngjarje e madhe e kombit tonë që erdhi në prag të Pavarësisë (1912).

Shkalla e vetëdijesimit të elitave që udhëhoqën kombin tonë në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20, u dëshmua me angazhimin e tyre për të unifikuar kombin përmes shkrimit të përbashkët. Dhe kjo nuk mund të arrihej pa një alfabet të përbashkët, i cili ishte edhe lajtmotivi i Kongresit të Manastirit, ku akujt e  diferencave krahinore, fetare, ideologjike u shkrinë nga rrezet e fuqishme të shkronjave shqipe me alfabet latin. Në fakt ky nuk ishte një Kongres i thjeshtë që bashkonte mekanikisht alfabetet, por përtej kësaj, ai ishte edhe një mekanizëm që po shndërrohej në algoritëm për zhvillimin e gjithmbarshëm të kombit tonë. Kjo u dëshmua sidomos me shtrirjen e ndikimit të tij në planin e zgjimit kombëtar, përmes hapjes së shkollave, gazetave e institucioneve që dimensionin shkrimor të shqipes e kishin si një palcë që mbante vitalitetin e kombit.

Ashtu siç është dialektike zhvillimi i shoqërisë, e tillë është edhe dialektika e zhvillimit të gjuhës. Shqiptarët me kalimin e viteve e dekadave po e ndjenin pamjaftueshmërinë e përfshirjes së koloritit të tyre gjuhësor në një tërësi unike, prandaj u mendua që të gjendet një formë e kanalizimit të trajtave e ngjyrimeve dialektore në një sistem unifikues, siç ishte Kongresi Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, i organizuar në vitin 1972 në Tiranë.

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe me kontributin e tyre në arritjen e një pajtimi gjuhësor- gjithëkombëtar, Kongresi i Drejtshkrimit ishte ngjarja me madhore që po hidhte themelet e një integrimi të brendshëm të kombit tonë. Kjo ndikoi pastaj që edhe kujdesi i shtetit shqiptar ndaj trevave të jashtme shqipfolëse të bëhet kategori kushtuese, një nxitje kjo që burimin e kishte pikërisht në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Bashkimi gjuhësor i një kombi nuk është veprim mekanik, por është përcaktim kulturor e civilizues. Kjo ndodhi edhe me Kongresin e Manastirit dhe me Kongresin e drejtshkrimit, dy gurë të çmueshëm në mozaikun e gjerë të vetëdijesimit kombëtar të shqiptarëve.

Duke u nisur nga rëndësia që kishte Kongresi i Drejtshkrimit (1972) ne si Institut në koordinim me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe me Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, këtë vit e shpallëm vitin e Kongresit të Drejtshkrimit, me ngjarje e aktivitete që do të organizohen në qendrat tona albanologjike, si shprehje e vullnetit dhe aspiratës për një integrim më të madh brendakombëtar. Kjo është një frymë të cilën ITSHKSH fuqishëm po e promovon, duke dëshmuar përcaktimin e qartë për një kurs civilizues tërësisht evropianizues. Mbase ky përcaktim i ynë mund të shkaktojë pagjumësinë e dikujt që bën plane për t’ia ndryshuar këtë kurs Institutit tonë, por ato do të jenë përpjekje të kota dhe tepër dëshpëruese, ashtu siç u treguan të kota edhe disa tentime për të na gjunjëzuar përmes bllokadave buxhetore, ose duke na dislokuar nga këtu, sepse vetëm në këtë mënyrë do të eliminohej fuqia e simbolikës së këtij objekti dhe e frymës që mbart puna disa vjeçare e Institutit tonë.

Por ITSHKSH tash më e ka ADN-në e vet dhe ashtu siç është e vështirë të ndryshohet kodi gjenetik i njeriut, po aq e vështirë është edhe ndryshimi i kodit civilizues e kulturor të Institutit tonë.

 

 Shkup, 7 mars 2022