KOHA

Fabulë afrikane

Përkthyer nga Naum Prifti

Në Afrikë tregojnë për një pasanik shumë  të madh që quhej Kohë. Ai kishte dhi, pula dhe bagëti që nuk mund të numëroheshin. Zotëronte më shume tokë seç arrinte të shihte syri dhe në fermën e tij rritej një sasi e madhe orizi dhe gjithfarë ushqimesh të tjera. Ai kish dyqane të mëdhenj plot me rroba dhe hambarët e tij qenë të mbushur gjithmonë plot me grurë. Fama qe përhapur edhe përtej fisit të tij. Tregtarët vinin nga vende të largëta të bënin tregti me të. Vallëzues, akrobatë dhe mundës vinin të luanin për të. Fise që banonin larg dërgonin mesagjerë të shihnin pasurinë e tij dhe ktheheshin t’i rrëfenin popullit si dukej dhe si jetonte. Të huajve që e vizitonin, Koha u  jepte dhurata të çmuara, lopë, dhi dhe rroba të bukura. Populli thoshte se kush nuk e kishte parë Kohën nuk numërohej ndër të gjallët.

Por Koha u plak dhe pasuria u rrudh. Kopetë u zvogëluan, po ashtu edhe toka, dyqanet e tij me grurë dhe hambarët u pakën sa nuk u mbeti asgjë. Trupi i tij i mirë-ushqyer u bë hollak dhe i kolovatur. Shtëpia u shkatërrua se nuk kujdesej njeri. Koha tani qe më keq se lypësi më i varfër.

Në vendet e largëta ende nuk e dinin sesi kishte vajtur filli i tij. Një ditë prej ditësh një fis i largët caktoi disa delegatë ta vizitonin atë. “Shkoni te vendi i Kohës dhe shiheni,” u thanë atyre. “Pasi ta keni parë, kthehuni dhe na tregoni nëse ka aq pasuri dhe bujari, siç tregojnë për të.”

Të dërguarit u nisën për rrugë dhe udhëtuan për disa ditë me radhë. Kur po arrinin afër vendit ku jetonte Koha takuan një plak të rrudhur, të veshur me lecka.

-O njeri, na trego a jeton Koha këtu dhe ku e ka shtëpinë.

-Po, Koha jeton këtu, – u tha plaku. – Hyni në qendër dhe populli do t’u tregojë si ta gjeni.

 Ata iu afruan qendrës dhe përshëndetën njerëzit me radhë.

-Kemi ardhur të shohim Kohën, sepse emri i ka mbërritur shumë larg. Ne duam ta takojmë dhe kur të kthehemi t’u tregojmë njerëzve tanë për të.

Ndërsa bisedonin, lypësi që e kishin takuar në anë të qytetit u afrua.

-Ai për të cilin keni ardhur po vjen,- iu tha dikush.

Vizitorët shikuan rreth e qark dhe kur e panë u zhgënjyen. “A mund të jetë ky për të cilin flitet gjithandej?”

  • O Njeri! A je vërtet ti Koha për të cilin flitet gjithandej?
  • Po, tha ai. – Unë jam.
  • Po si është e mundur të jesh ti që të paska arritur emri deri në anët tona? – pyetën ata.

Nuk mund t’iu  besonin syve se ai dukej më i varfër se gjithë varfanjakët e tjerë rreth e rrotull

-O Njeri! A je ti vërtet Koha, që ia njohin emrin të gjithë, të mëdhenj e të vegjël?

-Po, – tha ai përsëri. – Unë jam.

-Si ka mundësi? Ne kemi dëgjuar plot histori për ty anë e mbanë. Udhëtarët na kanë treguar për pasurinë dhe famën tënde të madhe. Njerëzit tanë na dërguan këtu për të parë dhe kur të kthehemi duhet t’ju tregojmë për ty. Çfarë t’ju themi ne atyre?

Koha u mendua pak, pastaj u tha:

-Kur të ktheheni tek njerëzit tuaj, ju thoni se “Koha nuk është më siç ka qenë”.         

Comment

*