Koha për të “hedhur” llotarinë amerikanë të vizave 2026 

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Prej disa ditësh, është “hapur” faqja e internetit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së (DOS) për programin e vizave emigruese të shumëllojshmërisë DV-2026. Siç ju kemi vënë në dijeni, periudha për t’u regjistruar nëpërmjet internetit për DV-2026 ka filluar më 2 tetor, 2024 në orën 12:00 në mesditë sipas Eastern Daylight Time, EDT (GMT-4) (ora 18:00 sipas orës lokale të Shqipërisë) dhe do të përfundojë më 5 nëntor, 2024 në orën 12:00 në mesditë sipas Eastern Daylight Time, EDT (GMT-4) (ora 18:00 sipas orës lokale të Shqipërisë). Kjo periudhë është periudha e vetme kur do të mund të aplikoni. Kërkesat nuk do të pranohen nëse i dërgoni nëpërmjet shërbimit postar amerikan (U.S. Postal Service). Bazuar në përvojën e viteve të mëparshme, periudha me prurjen më të madhe të aplikimeve në faqen e vënë në dispozicion për këtë qëllim nga DOS-i, ka qenë java e fundit e periudhës së regjistrimit, gjë që ka shkaktuar ngadalësi dhe vonesa në faqe. Prandaj, ju këshillojmë të paraqisni aplikimin tuaj sa më shpejt që të jetë e mundur. 

Programi i vizave emigruese të shumëllojshmërisë – i njohur ndryshe dhe si “llotaria amerikane” apo “llotaria e green card-ës” – është një program i qeverisë amerikane sipas të cilit nëse “të bie llotaria” mund të marrësh statusin e rezidentit të përhershëm të ligjshëm ose e thënë ndryshe, mund të marrësh green card-ën.  Për vitin fiskal 2026, ky program do të vërë në dispozicion të aplikantëve nga vende me shkallë të ulët emigrimi drejt SHBA-së dhe me kualifikim arsimor të caktuar, një numër prej 55,000 vizash. Programi siguron një mënyrë jo të kushtueshme dhe relativisht të thjeshtë për të marrë green card-ën, pa qenë nevoja për sponsorizim nga një punëdhënës ose familje amerikane.

Nuk nevojitet të paguani gjë për t’u regjistruar në programin DV, por personave që do të përzgjidhen për t’u paraqitur për intervistë, do t’u kërkohet të paguajnë tarifën e aplikimit për vizë përpara se të aplikojnë zyrtarisht për të – ku më pas një zyrtar konsullor do të vendosë nëse kualifikohen ose jo për vizë.

Përveç kritereve që kanë të bëjnë me kombësinë, çdo aplikant duhet të përmbushë dhe kriteret që parashikon programi i vizave emigruese të shumëllojshmërisë të cilat kanë të bëjnë me arsimimin dhe përvojën në punë:

  • të ketë të paktën arsimin e mesëm të lartë ose ekuivalentin e tij, kërkesë kjo që nënkupton kryerjen e 12 viteve të arsimit fillor dhe atij të mesëm (të ulët dhe të lartë); OSE
  • dy vjet përvojë pune gjatë pesë vjetëve të fundit, në një punë që kërkon të paktën dy vjet trajnim ose përvojë pune. Departamenti i Shtetit përdor arkivën online të Departamentit të Punës së SHBA-së (DOL): O*Net OnLine https://www.onetonline.org/ për të vendosur se çfarë konsiderohet përvojë e kualifikueshme pune. 

Ata që nuk kanë statusin e rezidentit të SHBA-së dhe kërkojnë të marrin green card nëpërmjet një vendi që kualifikohet për të marrë pjesë në llotarinë amerikane, mund të paraqesin aplikimin e tyre pavarësisht se ku jetojnë, në SHBA apo jashtë SHBA-së. Këty përfshihen dhe punëtorët e huaj që janë në pritje të marrjes së green card-ës nëpërmjet programit që punëson punonjës të huaj të kualifikuar për punë të caktuara.

Regjistruesit e DV-2026 mund të fusin informacionin e tyre të konfirmimit përmes https://dvprogram.state.gov/ESC/ duke filluar nga mesdita sipas Eastern Daylight Time, EDT (GMT-4) (ora 18:00 sipas orës lokale të Shqipërisë) më 3 maj 2025. Pjesëmarrësit në DV-2026 duhet ta ruajnë numrin e tyre të konfirmimit të paktën deri më 30 shtator, 2026.

Të gjitha kërkesat duhet të dërgohen në mënyrë elektronike në faqen përkatëse të internetit të DOS-së. Siç e thamë dhe më lart, aplikimet “në letër” nuk pranohen. Ritheksojmë se aplikimet përmes internetit janë falas, por nëse përzgjidheni, do të paguani tarifat përkatëse që parashikon procesi i marrjes së vizave. Kërkesat e paraqitura me vonesë ose “në letër” nuk do të pranohen. Sipas ligjit, nuk lejohet më shumë se një kërkesë nga ose për një person, gjatë kësaj periudhe regjistrimi. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për të kapur rastet kur është bërë më shumë se një kërkesë. Në rast se paraqisni më shumë se një kërkesë, do të skualifikoheni.

 

Pasi të keni paraqitur kërkesën e plotë për të marrë pjesë në llotarinë amerikane, në ekran do t’ju shfaqet emri dhe numri i konfirmimit që ju është caktuar – ky numër është caktuar vetëm për ju. Printojeni këtë faqe konfirmimi në mënyrë që ta keni si dokument. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ruani numrin e konfirmimit, pasi është e vetmja mënyrë për të kontrolluar statusin e kërkesës që keni paraqitur, si dhe në rast se do të përzgjidheni, do t’ju nevojitet për të marrë udhëzime të mëtejshme ose për  caktuar ditën e intervistës për vizë. 

Departamenti i Shtetit, nga të gjitha kërkesat e regjistruara për vizë, bën një përzgjedhje të rastit në kompjuter të aplikantëve për vizë emigruese DV, bazuar kjo në numrin e vizave që është vënë në dispozicion të secilit prej vendeve e rajoneve pjesëmarrëse. Të gjithë pjesëmarrësit në DV-2026 duhet të shkojnë në faqen e Entrant Status Check https://dvprogram.state.gov/ESC/CheckStatus.aspx (vendi në faqen e internetit ku duhet të klikoni për të kontrolluar statusin e kërkesës) për të parë nëse janë përzgjedhur ose jo. Për këtë qëllim, do t’u duhet të fusin numrin e konfirmimit që u është caktuar në momentin kur bënë kërkesën për të marrë pjesë në llotarinë amerikane. Nëse kërkesa juaj është mes të përzgjedhurave, automatikisht do t’ju çojnë tek një faqe konfirmimi ku do t’ju jepen udhëzime të mëtejshme, përfshirë këtu dhe tarifat që duhet të paguani për të emigruar në Shtetet e Bashkuara. Entrant Status Check është mënyra e VETME nëpërmjet të cilës Departamenti i Shtetit do të njoftojë qoftë ata që janë përzgjedhur, qoftë ata që nuk janë përzgjedhur. Ju këshillojmë shumë që ta kontrolloni vetë Entrant Status Check dhe jo t’ia lini dikujt tjetër në dorë që ta kontrollojë dhe t’ju njoftojë.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes e-mail-it në adresën elektronike: info@bothlaw.com