In memoriam
Kolë Berishën e kam njohur në “vitet e nxehta”, të 80 – ta, atëherë kur një pjesë e Shqiptarëve, besa edhe “patriotëve” strukeshin dhe fshiheshin në “anonimitet”, apo si thotë populli “nën sofër”; një pjesë, sado e vogël, ishin edhe më zi, bashkëpunonin me sistemin; një pjesë ishte larguar prej punës, braktisnin Kosovës, ku dinin dhe mundeshin, për të “shpëtuar” nga stuhia e kohës së keqe.
Vetëm një pakicë, ata që ishin më guximtarë dhe largpamës, atdhetarë dhe veprimtarë publik, në kërkim të zbatimit të strategjisë paqësore jo – dhunore, “gandiane”, edhe më mirë, “tereziane” të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, dolën në skenë.
Ndër ata, pa dyshim, një vend të dalluar, shquar dhe spikatur për të mirë, guxim dhe largpamësi, ishte edhe Kolë Berisha.
Ai lindi me 26 tetor 1947 në fshatin Dobërdol të Klinës. Pas shkollimit fillestar në Ujmir, vazhdoi dhe kreu me sukses shkollën e mesme, normale, në Gjakovë. Për një kohë ishte sekretar i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Më vonë kishte krye edhe Fakultetin juridik në Prishtinë.
Një herë më tha kështu: “Emri dhe jeta e Luigj Gurakuqit ishin për mua ngacmim dhe frymëzim. Edhe unë doja të bëja diçka për Popullin tim në stilin e tij.”
Në vitin famëkeq 1989, kur u hoq edhe ajo pak “autonomi e Krahinës së Kosovës” nga ana e Millosheviqit dhe fuqive nacionaliste serbe, Kolë Berisha, si dhe shumë intelektual, mësues, veprimtarë, profesorë, mjekë, ishin larguar prej punës, kuptohet, me dhunë dhe me shumë kërcënime dhe rrezikime.
“Dorën e diktaturës” e provoi së shpejti edhe Kolë Berisha. Më 28 mars 1989, ai arrestohet dhe dërgohet në burg në Leskoc, Beograd dhe në Pejë. Faji dihet: “i papërshtatshëm” për shkollë dhe arsim, nacionalist dhe shovinist shqiptar, njeri kundër të ashtuquajturit “bashkim – vëllazërim”.
Kjo kohë e keqe ia dha së fundi rastin e mirë që të provonte së pari në vete, pastaj ta dëshmonte edhe para tjerëve, “fytyrën” e vërtetë, pjekurinë, guximin, largpamësinë, atdhedashurinë, kulturën dhe qytetërimin tonë.
Kolë Berisha i tha, së pari, vetvetes, pastaj edhe tjerëve, kështu: “Tash është koha ime – koha jonë”.
Qyqarët, jo – kurrizorët, servilët, mrekulloheshin për vullnetin e tij të fortë, për guximin e tij të pamohueshëm, për dëshirën e madhe që Populli të jetë në mendjen dhe zemrën e intelektualëve tanë. Përsëriste shpesh urtinë popullore: “Nuk ka dasmë pa mish”.
Figurë emblematike për Kolë Berishën, si dhe për shumë të tjerë, pothuaj për të gjithë Shqiptarët në Kosovë, por edhe më gjerë, ishte Dr. Ibrahim Rugova, njeri i “skutës”, i “periferisë”, do të thotë Papa Françesku, që tash e tutje do ta ketë vendin kryesor në odat, mendjet dhe zemrat tona, në krijimin dhe zbatimin e politikës së mirëfilltë kombëtare – shqiptare.
Pas largimit nga puna dhe burgimit, Kolë Berisha anëtarësohet në LDK-në, së shpejti ishte anëtar i Kryesisë së kësaj Lëvizjeje dhe Partie në Klinë. Punoi me shumë zell dhe përkushtim edhe në proceset e pajtimeve.
Pas dhjetë viteve, në vitin 1989, ishte nënkryetar i LDK-së për Kosovë. Pas ndërhyrjes së NATO-s dhe luftës së UÇK-së, ishte anëtar i Forumit Politik të Kosovës, veprimtar dhe nënshkrues i deklaratës së shpalljen e Pavarësisë së Kosovës; në tri mandate anëtar i Kuvendit të Kosovës.
Gjatë viteve 2006 – 2007 ishte Kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Mbi të gjitha, Kolë Berisha, ishte dhe mbeti Njeri i Popullit dhe për Popullin, idealist i madh, patriot i shquar, guximtar dhe largpamës në kohën e stuhive dhe rreziqeve të gjithanshme.
Ai si njeri, mësues, arsimtar, edukator, mbi të gjitha politikan, bashkëpunëtor i ngushtë dhe i besueshëm i dr. Ibrahim Rugovës, veprimtar pozitiv dhe konstruktiv në skenën tonë politike, në synimet e qarta për Liri, demokraci dhe Pavarësi, në kuadër të LDK-së dhe më gjerë, dha një kontribut të madhe dhe të pamohueshëm.
Krahas këtij angazhimi, ai ishte edhe njeri i librit dhe pendës. Më tha në një rast kështu: “Ne kemi nevojë për bukë, por edhe për libër. Buka, simboli i jetës dhe traditës tonë të lashtë dhe bujare, ndërsa libri, si arma jonë për emancipim të gjithanshëm, nga sundimet e të huajve, por edhe nga dobësitë dhe të metat tona.”
Fryt i këtij angazhimi kulturor dhe shpirtëror janë botimet: “Kosova plagë pikon” (1997); “Djajtë nuk flejnë” (2008); “Ditari i një izolanti” (1999; 2020).
Bashkëpunimi im me Kolë Berishën ishte i gjatë, miqësor, vëllazëror, i natyrshëm dhe në çdo lëmi. Gjatë verës, në Budisalc të Klinës, famullia më e re e Lugit të Drinit, me famullitarin e parë Don Pashk Danin, organizonim takime, bisedime, kumtesa, ligjërata të natyrës historike, kulturore, shoqërore, aktuale.
Kolë Berisha, si dhe shumë intelektual të atij rrethi, por edhe më gjerë, ishin rregullisht pjesëmarrës mjaft aktivë dhe shumë kreativë.
Dikush këto takime i quajti “Universiteti veror në Budisalc”. Aty trajtoheshin shumë çështje të “mjegulluara” nga historia jonë ilire, arbërore dhe shqiptare, si dhe kërkoheshin mjetet e reja për liri dhe demokraci të mirëfilltë kombëtare, shoqërore, shpirtërore dhe kulturore.
Gjatë këtyre takimeve pothuaj vjetore dhe të rregullta, aftësitë e tij natyrore dhe intelektuale të Kolë Berishës, ishin krah i fortë për të gjithë. Mbi të gjitha e njoha më për së afërmi, si mendje të ndritur, zemër të madhe dhe të hapur, atdhedashuri të theksuar, kërkimin dhe nevojën e tij “për diçka të re dhe ndryshe.”
Në këto takime dukej shumë i angazhuar dhe i lumtur. “Po hetoj dhe shijoj një ajër të pastër, një botë që nuk e njohja më parë, diçka që na bënë të takohemi, afrohemi dhe bashkohemi ne të gjithë, si vëllezër, si Shqiptarë.”
Ja rrëfimi i tij nga këto takime: “Tri figura janë për mua frymëzuese dhe udhëzuese: Nëna Tereze, Papa Gjon Pali II dhe dr. Ibrahim Rugova. Nëse nga këto tri figura emblematike dhe profetike marrë diçka, mendoj që do të jem i dobishëm për vetveten, për familje dhe për shoqëri, për Popullin tonë.”.
Dhe vazhdoi: “Prej Nënës Tereze kam dëshirë të marrë aftësinë e saj për vuajtje, flijim, dhurim, vuajtja e motivuar dhe ofruar, dashurinë universale për të gjithë, sidomos ata që janë të shkelur”, siç keni shkruar Ju.
“Prej papës Gjon Pali II, guximin historik dhe profetik, për përmbysjen e sistemit diktatorial komunist- ateist, dikur në Poli, tash në dimensionet botërore.”
E ndërpreva. E prej mikut tënd, tim, tonë, Dr. Ibrahim Rugova, çka dëshiron të marrësh?
“Eh, shumë. Së pari urtinë, butësinë, maturinë, mbi të gjitha besimin e madh në Zotin dhe në Popullin, si binom të pandashëm dhe të pathyeshëm për të tashmen dhe për të ardhmen.”
Takimin e fundit me Kolë Berishën e pata të premten, më 11 shtator 2020. Ishe i lodhur dhe rraskapitur prej sëmundjes. Mirëpo së shpejti u “ngjall” dhe biseduam qetë dhe mirë. Mori edhe ndihmën dhe përkrahjen sakramentale dhe uratën për shëndet, si dhe për shtegtim në amshim, me përshpirtëri dhe qetësi.
Si befasi të këndshme, ai e kishte përgatitur vëllimin “Ditari i një izolanti”, botimi 2020 dhe dorën e tij e kishte shkruar: Me respekt: Kolë Berisha, 11/10/2020.
Për këtë dhe shumëçka tjetër, Zoti e shpërbleftë me lumturi në amshim, ndërsa ne, Populli, mos e harrofshim. Ky do të ishte nderimi dhe falënderimi ynë më i mirë!
Pushoftë në paqe!
Prishtinë, 29 gusht 2021 Don Lush GJERGJI