Tiranë, 21 mars 2023 – Kolegji Zgjedhor vendosi të martën të pranojë ankesën e lëvizjes “Bashkë” për regjistrimin si subjekt politik në zgjedhjet vendore të 14 Majit, duke rrëzuar kështu vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve si dhe të Komisionit të Ankimimit dhe Ankesave për mosregjistrimin e saj.
Vendimi u mor nga trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Alma Kolgjoka, Edlira Petri, Manjola Xhaxho, Marsela Dervishi dhe Sokol Ibi.
Drejtuesi i lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, i cili synon të kandidojë për kryetar të bashkisë Tiranë e cilësoi qëndrimin e Kolegjit një vendim që i jepte fund paligjshmërisë dhe padrejtësisë.
“Ky fund fatmirësisht erdhi, pavarësisht makinacioneve që nisën me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me gjyqtarin famëkeq Zhukri e komisionerin famëkeq Celibashi dhe tre anëtarët famkëqij të KAS-it,” u shpreh ai, duke premtuar një fushatë të pazakontë për bashkinë e Tiranës.
Aktivistët e lëvizjes prej ditësh kishin ngritur stenda nëpër Tiranë për të mbledhur firmat e qytetarëve që Qori të kandidonte si kandidat i pavarur për Bashkinë më të madhe në vend.
Njëra prej aktivisteve, Anxhela Nasto i tha BIRN se në pak ditë kishin arritur të mblidhnin më shumë se 5000 nënshkrime nga 6800 të tilla që i duheshin për të bërë të mundur futjen në garë, nëse as Kolegji nuk do t’u njihte të drejtën për të garuar si subjekt politik.
Lëvizja “Bashkë” u penalizua nga një vendim i vonuar i gjykatës së Tiranës për ta regjistruar si parti politike, i cili u mor në tejkalim të afateve të procesit zgjedhor.
Vendimin e komisionerit Ilirian Celibashi e la në fuqi edhe KAS, duke detyruar aktivistët e kësaj lëvizje që t’i drejtoheshin Kolegjit si shkalla e fundit e ankimimit në procesin zgjedhor.
Aktivistët e këtij formacioni të ri politik protestuan në shkurt para gjykatës së Tiranës dhe gjyqtarit Agron Zhukri, i cili e caktoi seancën për njohjen e këtij subjekti një ditë pas afatit të caktuar nga KQZ për regjistrimin e subjekteve politike.
Por, edhe pas ndryshimit të datës së vendimit nga gjykata, Komisioneri Ilirjan Celibashi nuk pranoi dokumentacionin dhe refuzoi regjistrimin në zgjedhje me pretendimin se vendimi i gjykatës nuk ishte i formës së prerë dhe si rrjedhojë, nuk është i pasqyruar në regjistrin e partive politike të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
(Reporter.al)