Marda (Bregu Perëndimor), 20 dhjetor 2024 – Banorët palestinezë në qytetin Marda të Bregut Perëndimor njoftuan të premten se kolonët izraelitë i vunë zjarrin dhe vandalizuan një xhami, duke shkruar ofendime dhe parulla kërcënuese me bojë në muret e saj.
Në videon e regjistruar nga kamera të sigurisë shihet një person i maskuar dhe me kapelë duke lyer me bojë muret e xhamisë. Të paktën dy të tjerë i bashkohen atij, njëri prej tyre mban atë që duket të jetë një enë, ndërsa futen në ndërtesë.
Ndër mesazhet e shkruara në mur ishte “vdekje arabëve” si dhe një citat nga libri i Psalmeve të Biblës Hebraike.
Kreu i këshillit të fshatit Marda, Nasfat al-Khufash përmes një deklarate me video e quajti atë një sulm terrorist sistematik.
“Disa kolonë i vunë zjarrin dhe tentuan një sulm në një shkallë më të gjerë në xhami”, tha ai. “Këto sulme janë të vazhdueshme dhe sistematike nga grupet e kolonëve”.
Policia izraelite dhe agjencia izraelite e sigurisë Shin Bet thanë në një deklaratë të përbashkët: “Ne e shohim këtë incident si jashtëzakonisht të rëndë dhe do të veprojmë me vendosmëri për të sjellë autorët para drejtësisë për një gjykim rigoroz”.
(Zëri i Amerikës)